Fiorentina ka mposhtur 1-0 Atalantën në “Artemio Franchi”, ndeshje e vlefshme për javën e 30-të në Serie A.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga Moise Kean në fund të pjesës së parë.
Sulmuesi përfitoi nga një gabim i Isak Hien në mesin e fushës, mori topin i vetëm dhe e dërgoi në rrjetë duke zënë në befasi bergamaskët.
Ky është goli i 21 për Moise Kean për këtë sezon me fanellën e Fiorentinës në të gjitha kompeticionet, ndërsa i 16-ti për në Serie A.
Ky është padyshim sezoni më i mirë në karrierë për 25-vjeçarin, që me këtë formë që po kalon do i ketë bërë pishman drejtuesit e Juventusit që e nxorrën në shitje verën e kaluar.
Më këtë fitore të Fiorentinës, mund të themi që Atalanta mbetet përfundimisht jashtë garës për titull dhe tani do kërkojë të sigurojë “biletën” për në Champions për sezonin e ri. Në anën tjetër, klubi vjollcë renditet në vendin e shtatë me 51 pikë dhe të kërkojë të arrijë një vend për Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm.