Kontrata e futbollistit kroat Luka Modriq me Real Madridin skadon në fund të sezonit dhe ende nuk dihet nëse do të nënshkruajë një të re.
Ai do të mbushë 40-vjeç në shtator, por është ende kapiten dhe lojtar i rëndësishëm për Carlo Ancelottin, i cili e ka përdorur në 45 ndeshje këtë sezon.
Nga sezoni në sezon dalin zëra për lojtarët që do të sjellë Reali për të zëvendësuar mesfushorin kroat dhe tani mediat angleze po shkruajnë për transferimin e mundshëm të Bruno Fernandes (30).
“Manchester United i tronditur: Real Madridi dëshiron Bruno Fernandes për 90 milionë funte (107 milionë euro)”, është titulli i artikullit të Daily Express.
“Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, papritmas e ka gjetur veten në radarin e Real Madridit. Mesfushori portugez mbërriti në United në vitin 2020 nga Sporting, dhe që atëherë është vendosur si një lojtar kyç për skuadrën. Atij iu dha gjithashtu shiriti i kapitenit në verën e vitit 2023. Fernandes ka një kontratë me United deri në të paktën 2027”, shkruan media angleze.
Daily Star pretendon se Reali ka monitoruar nga afër Fernandes për muaj të tërë.
"Madridi po planifikon një rinovim të madh të ekipit këtë verë, dhe Fernandes është një nga objektivat e tyre kryesore. Kontrata e Modriq skadon në fund të sezonit dhe ka gjasa në rritje që qëndrimi i tij në Bernabeu po i vjen fundi."
Kjo histori mund ta vendosë United në pozitë të vështirë përpara afatit kalimtar të verës. Trajneri Ruben Amorim dëshiron të mbajë kapitenin, por klubi po kërkon mënyra për të ulur kostot dhe për të fituar para kudo që të mundet.
Për shkak të kësaj, thonë burimet, United mund të pajtohet me një ofertë të madhe në rangun 90 milionë funte, edhe pse do të ishte kundër dëshirës së trajnerit. Mbetet të shihet nëse Reali do të dërgojë një ofertë zyrtare kur të hapet zyrtarisht merkato.
Fernandes luajti për Novara, Udinese, Sampdoria dhe Sporting. United e solli në radhët e veta në vitin 2020 për 65 milionë euro. Ai luajti 277 ndeshje për gjigantët anglezë, duke shënuar 95 gola. Kontrata e tij aktuale deri në verën e vitit 2027, ka mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër,.