Qeveria e ardhshme e Gjermanisë thotë se do t’i bëjë presion Bashkimit Evropian që më në fund “t’i shtojë pak veprimet” për vendet që sillen keq – në një referencë të fshehtë për Hungarinë e Viktor Orbanit.
Konservatorët e kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz dhe partneri i tyre i mundshëm i koalicionit të qendrës së majtë, Partia Social Demokrate (SPD), kanë rënë dakord të kërkojnë që blloku të ndalojë fondet dhe të pezullojë të drejtat e votës nga vendet që shkelin parimet kryesore si sundimi i ligjit, sipas një projekt-marrëveshjeje koalicioni të parë nga Politico,
Ndërsa Hungaria nuk u përmend me emër, draft-marrëveshja i referohet qartazi shkelësit më të keq të BE-së, i cili prej vitesh është akuzuar për “shkatërrimin” e normave demokratike, duke kufizuar lirinë e shtypit dhe duke kufizuar pavarësinë e gjyqtarëve.
Partitë gjermane – ajo e Merzit dhe SPD-ja që udhëhoqi qeverinë e fundit – janë aktualisht duke negociuar për të formuar një koalicion dhe duhet të bien dakord mbi parimet themelore përpara se të marrin detyrën.
Një marrëveshje për t’i bërë presion BE-së që të ndjekë vende si Hungaria, është pjesë e një sërë marrëveshjesh të përkohshme që mbulojnë çështje të ndryshme si politika e migracionit, heqja graduale e qymyrit dhe shpenzimet e mirëqenies.
“Instrumentet ekzistuese mbrojtëse, nga procedurat e shkeljes dhe mbajtja e fondeve të BE-së deri te pezullimi i të drejtave të anëtarësimit, si të drejtat e votës në Këshillin e BE-së, duhet të zbatohen shumë më konsistente se më parë”, shkruanin negociatorët nga blloku konservator i Merz-it dhe SPD në një projekt-marrëveshje koalicioni mbi politikën e BE-së.
Kujtojmë se në vitin 2022, Komisioni Evropian vendosi të bllokojë rreth 22 miliardë euro para të gatshme të BE-së të destinuara për Hungarinë mes shqetësimeve për të drejtat e njeriut dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Ai përfundimisht “shkriu” më shumë se 10 miliardë euro vitin e kaluar, duke shkaktuar një reagim të ashpër.
Një pikë mosmarrëveshjeje midis BE-së dhe qeverisë së Hungarisë ka qenë miqësia e Orbanit ndaj Moskës, me Budapestin duke përdorur vazhdimisht të drejtën e vetos për të bllokuar sanksionet ndaj oligarkëve dhe shefave ushtarakë rusë.
Për të anashkaluar këtë të drejtë vetoje, qeveria gjermane e ardhshme dëshiron të “mbrojë një zgjerim të votimit të shumicës së cilësuar në Këshillin e BE-së”, veçanërisht për disa çështje të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), siç është vendosja e sanksioneve.
Kjo do të mundësonte marrjen e vendimeve pa nevojën e miratimit hungarez.