Milani pritet që të ndajë rrugët me Sergio Conceicaon në verë dhe drejtori i ri sportiv do të zgjedhë trajnerin e ri të ‘Rossonerëve’ për sezonin 2025/2026.
Conceicao nuk pritet që të jetë në krye të Milanit sezonin e ardhshëm. Tekniku portugez ka dështuar që ta përmirësojë situatën në ‘San Siro’ që prej se e zëvendësoi Paulo Fonsecan në dhjetor.
Conceicao e fitoi Superkupën e Italisë në janar, por ai ka humbur pesë ndeshje në Serie A nga 13 (gjashtë fitore, dy barazime) dhe është eliminuar në ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve nga Feyenoordi.
Milani momentalisht gjendet në pozitën e nëntë në tabelën e Serie A, me katër pikë larg pozitës që dërgon në garat evropiane.
Tekniku portugez ka kontratë me kuqezinjtë deri në vitin 2026, por drejtuesit mund ta ndërprejnë atë në fund të sezonit.
Sky Sport Italia dhe Calciomercato sugjerojnë se kjo është saktësisht se çfarë do të bëjë Milani në fund të sezonit – shkarkimi i Conceicaos dhe emërimi i trajnerit të ri.
Një drejtor i ri sportiv që do të zgjidhet nga Giorgio Furlani në javët në vazhdim, do të emërojë trajnerin e ri të Milanit për sezonin e ardhshëm.