Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti të shtunën “progresin e prekshëm” pas takimit me shefat ushtarakë britanikë dhe francezë në Kiev, për të diskutuar forcimin e ushtrisë ukrainase dhe mënyrat për të mbështetur vendin e shkatërruar nga lufta pas çdo përfundimi të armiqësive me Rusinë.
Shefi i Shtabit të Mbrojtjes britanike Tony Radakin dhe homologu i tij francez Thierry Burkhard të premten zhvilluan bisedime me Zelensky, komandantin e përgjithshëm ukrainas Oleksandr Syrsky dhe ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov.
“Ka përparim të prekshëm dhe detajet e para se si mund të vendoset kontigjenti i sigurisë së partnerëve”, ka shkruar Zelensky nw rrjetet sociale pa dhënë detaje.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer po drejtojnë përpjekjet evropiane për të dërguar atë që ata e quajnë një “forcë sigurie” në Ukrainë, pas çdo përfundimi të luftës së shkaktuar nga pushtimi i Rusisë në 2022.
“Ne vazhdojmë diskutimet tona për mbështetjen afatgjatë për popullin ukrainas”, tha Macron të shtunën në X.
“Së pari, për ushtrinë e tyre, e cila është – dhe do të mbetet – linja e tyre e parë e mbrojtjes; dhe së dyti, në një forcë të mundshme sigurie, të dislokuar pas vijës së parë të frontit për të penguar çdo agresion të rinovuar rus”, shtoi Macron.
Zelensky falënderoi “Britaninë e Madhe dhe Francën për udhëheqjen e tyre”, duke thënë se “është kjo lloj pune e përbashkët, kur të gjithë janë të fokusuar në një rezultat të fortë, që ndihmon për të sjellë një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.