Në prag të sfidës së madhe në “Allianz Arena”, kundër Bayern Munich, portieri i Interit, Yann Sommer, ka ndarë mendimet e tij për “Sky Sport” rreth përballjes çerekfinale të Champions League, ku pritet një duel me intensitet të lartë.
“Sigurisht që do të jetë një ndeshje intensive, përballen dy skuadra që duan qarkullimin e topit dhe kanë shumë cilësi. Të dyja ushtrojnë presion të lartë, kështu që do të jetë një ndeshje interesante”, – u shpreh “gardiani” zviceran, i cili ka luajtur një sezon me bavarezët, duke përshkruar atmosferën që pritet sonte në Mynih.
I pyetur nëse Interi dhe Bayerni e nisin në kushte të barabarta për sa iu përket shanseve për kualifikim, Sommer theksoi: “Po, do të shohim, por të dyja palët kemi skuadra të kompletuara.
Atyre iu mungojnë lojtarë të rëndësishëm, por edhe neve. Jemi të barabartë, do ta tregojë fusha e lojës forcën e secilit”.
Në lidhje me formën e zikaltërve në Champions League, krahasuar me Serie A, portieri helvet nënvizoi rëndësinë e organizimit në mbrojtje: “Është e vështirë të shpjegohen këto gjëra. Nuk jemi të kënaqur me ndeshjet e fundit në kampionat, sonte është shumë e rëndësishme të jemi skuadër në fushë, që mbron mirë dhe ia bën të vështirë kundërshtarit krijimin e rasteve.
Në Parma bëmë disa gabime, por gjithçka është lënë pas krahëve. Tani jemi shumë të përqendruar te sfida e sotme me Bayernin”.
Ndërsa për raportet me ish-shokët e skuadrës te gjigantët bavarezë, Sommer shtoi me qetësi: “Nuk kemi folur shumë para kësaj ndeshjeje, por i kam miq të gjithë. Jemi të përqendruar vetëm tek ajo që do të ndodhë në fushën e lojës”.
Interi kërkon të marrë një rezultat pozitiv në “Allianz Arena”, fjalët e Sommer pasqyrojnë qartë përkushtimin dhe qetësinë me të cilën skuadra zikaltër po përgatitet për këtë sfidë vendimtare.