Një mjek dëshmoi të martën në gjyqin e shtatë profesionistëve shëndetësorë, të akuzuar për neglizhencë në vdekjen e Diego Maradonës.
Sipas tij, legjenda argjentinase e futbollit kishte nevojë të ishte shtruar në një qendër rehabilitimi, në vend që të kthehej në shtëpi, pas operacionit në kokë, që iu nënshtrua në vitin 2020. Maradona vdiq më 25 nëntor 2020, pasi doli nga spitali, në shtëpinë e tij në periferi të Buenos Airesit.
“Duhej të shkonte në një klinikë rehabilitimi…, në një vend më të mbrojtur për të, – tha për gjykatën Mario Alejandro Schiter, i cili e ka kuruar Maradonën për dy dekada. – Duke e njohur pacientin, nuk do t’ia kisha sugjeruar shtrimin në shtëpi. Nuk ishte e lehtë për t’u menaxhuar, duke marrë parasysh njohuritë e mia të drejtpërdrejta nga momentet më të këqija të jetës së tij”, – shtoi Schiter, i cili e kishte kuruar Maradonën për varësinë nga droga.
Sipas akuzës, shtatë profesionistët e akuzuar për neglizhencë, një neurokirurg, një psikiatër, një psikolog, mjekë dhe infermierë, nuk ofruan kujdes të mjaftueshëm, gjë që mund të ketë shkaktuar vdekjen e tij. Schiter tha se ai ishte një konsulent dhe nuk kishte autoritet për të marrë vendime: “Drejtuesit e klinikës erdhën në fund dhe më thanë se kishin zgjedhur shtrimin e Diegos në shtëpi”.
Sipas disa dëshmitarëve në proces, shtëpia ku ishte dërguar Maradona nuk kishte pajisjet mjekësore të nevojshme. Schiter, i cili gjithashtu ishte prezent gjatë autopsisë së trupit të Maradonës, tha se “të gjitha provat sugjerojnë se nuk iu ofrua kujdes i përshtatshëm mjekësor, gjë që çoi në dështim të zemrës”.