Në zemër të Parisit, në hotelin Pullman, pak larg nga Kulla Eifel, përfaqësuesit ligjorë të Kylian Mbappe, në prani të nënës së tij, Fayza Lamari, mbajtën një konferencë shtypi me një ton të qartë: me Paris Saint-Germain është shpallur një betejë e vërtetë ligjore.
Njoftimi është për një procedurë që do të përfshijë ligjin civil, penal dhe të punës, me një lëvizje të mëtejshme strategjike që synon të përfshijë drejtpërdrejt UEFA-n.
Avokatja Delphine Verheyden, e mbështetur nga tre ekspertë të fushave të ndryshme të së drejtës, ka paralajmëruar se do të shkojë në tre juridiksionet kompetente për të kërkuar pagesën e 55 milionë eurove, që sipas saj, ende nuk i janë paguar klientit të saj. “Procedurat filluan në shkurt të vitit 2024 dhe, që atëherë, PSG nuk i ka përmbushur detyrimet kontraktuale”, deklaroi me vendosmëri avokatja.
Verheyden më pas rindërtoi historinë kontraktuale të kampionit francez: “Në rastin e Kylian Mbappé, çështja është e thjeshtë. Ai iu bashkua PSG-së në verën e 2017. Ai nënshkroi një kontratë pune, e cila u zgjat në pranverën e 2022 për dy sezone me opsion”.
“Me kalimin e kohës ka pasur shkëmbime, diskutime, presione… do t’i rikthehemi të gjitha këtyre. Kontratat janë nënshkruar. Ishin dy prej tyre. A u respektuan? po. Deri në fund? po. A ishin paguar? Jo. Çfarë mungon? 55 milionë euro”.
Delphine Verheyden zbuloi se ajo ishte takuar me zyrtarë të UEFA-s për t’i kërkuar organit qeverisës të futbollit evropian që të shqyrtonte çështjen me PSG-në.
Duke cituar një nen në rregulloren e UEFA-s që ndalon dhënien e licencave të garave për klubet që nuk kanë paguar plotësisht pagat e lojtarëve të tyre, avokatët e Mbappe besojnë se, derisa të bëhet pagesa e plotë, klubi parizian nuk ka të drejtë të luajë në Ligën e Kampionëve.
Duke vepruar shpejt, ata gjithashtu kontaktuan Federatën Franceze të Futbollit për t’i kërkuar UEFA-s të rishikonte pagesën e lënë pas dore.