Është ndarë nga jeta veterani i NDSH-së, Rashid (Mulla Ali) Krasniqi – veprimtar i çëshjtes kombëtare dhe publicist që la gjurmë të pashlyeshme. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të të ndjerit.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë miqtë, familjarët se sot më 11.04 ndërroi jetë i paharruari ynë, veterani i NDSH-së Rashid (Mulla Ali) Krasniqi në moshën 93 vjeçare. Varrimi bëhet të shtunën më 12 prill me namaz të drekës (ora 13:00); ndërsa e pamja mbahet tri ditë duke filluar nga e diela (13 prill) në Hotel Grand”, kanë njoftuar familjarët.
Rashid (Mulla Ali) Krasniqi ishte një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, veteran i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), i cili me jetën dhe veprimtarinë e tij u shqua për përkushtimin ndaj lirisë, identitetit kombëtar dhe çlirimit të trojeve shqiptare nga pushtimi jugosllav.
I lindur në një familje me tradita fetare dhe atdhetare, Rashid Krasniqi, i njohur edhe me emrin e të atit Mulla Ali, trashëgoi frymën e qëndresës dhe përkushtimin ndaj vlerave kombëtare dhe shpirtërore. Ai i përkiste brezit të atyre shqiptarëve që nuk u pajtuan me pushtetin komunist të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe që u rreshtuan me guxim në radhët e rezistencës së organizuar, siç ishte NDSH-ja.
Përveç kontributit të tij si veprimtar e publicist, Rashid Krasniqi do të kujtohet përherë edhe për krijimtarinë e tij artistike, veçanërisht për këngën e pavdekshme “Mallëngjimi / O vendi im”, e cila mbetet një himn i shpirtit të mërguar dhe dashurisë së thellë për atdheun.