Slot, entuziast

- Bota Sot

Slot, entuziast

Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, doli të premten përpara mediave me buzëqeshje të theksuar dhe mesazh të qartë: rinovimi i kontratës së Mohamed Salah është një triumf i vërtetë për klubin dhe sinjal i fortë për të ardhmen.

Sulmuesi egjiptian firmosi një marrëveshje të re 2-vjeçare, duke i dhënë fund sagës së gjatë të negociatave, të cilat kishin mbajtur pezull jo vetëm “Anfield”, por edhe të gjithë skenën ndërkombëtare të futbollit.

Kontrata e tij e mëparshme ishte drejt skadimit, çka do t’i lejonte të zgjidhte lirisht dhe falas destinacionin e radhës në verë. Por Salah zgjodhi të qëndrojë, zgjedhje që në sytë e klubit anglez vlen sa një trofe.

Slot nuk kurseu vlerësimet, sidomos për drejtorin sportiv Richard Hughes, të cilin e konsideroi kyç në këtë arritje: “Është një meritë e madhe e Richard, sepse Mo Salah, si lojtar i lirë, mund të kishte shkuar në cilindo klub në botë falas”.

Për Slot, nënshkrimi i yllit egjiptian është shumë më tepër se një çështje kontrate; është mesazh i qartë besimi dhe ambicie për të ardhmen: “Momo është i bindur se mund t’ia dalim, kjo është shumë pozitive për ne. Kur prezantojmë projektin tonë, është bukur të themi se Mo Salah ka firmosur kontratë të re. Kjo tregon se sa ambicioz është ky klub”.

Pavarësisht pasigurisë që e rrethoi të ardhmen e tij, Salah nuk e uli kurrë ritmin në fushë. Me 32 gola në të gjitha kompeticionet, përfshirë 27 në Premier League, ai ka qenë motori kryesor në garën e Liverpool-it për titullin e 20-të kampion të Anglisë.

Slot e mbylli duke vlerësuar karakterin dhe përkushtimin e sulmuesit egjiptian: “Momo ka treguar për shumë vite sa i rëndësishëm është për klubin. Të gjithë tifozët dhe shokët e skuadrës janë shumë të lumtur që ka rinovuar edhe për dy vite të tjera”.

Në një verë që premton shumë lëvizje, Liverpool-i jep mesazhin e parë: gurët e rëndë të projektit nuk do të lëvizin.



Read it all at Bota Sot