Nëse pas humbjes 2-1 kundër Interit, në ndeshjen e parë çerekfinaleve të Champions League, u ndje një farë nervozizmi në deklaratat e lojtarëve të Bayern Munich për festimet e zjarrta të zikaltërve, që sipas gjermanëve ishin të tepruara, nuk mund të thuhet se skuadra bavareze ka shfaqur frikë për sfidën e kthimit në “San Siro”. Përkundrazi, deklaratat e tyre e trajtojnë si normale përmbysjen që iu nevojitet për të kaluar në gjysmëfinale.
Harry Kane, pas humbjes 2-1 në “Allianz Arena”, kishte deklaruar: "E di që në fund ata festuan si të kishin kaluar turin, por kanë mbetur edhe së paku 90 minuta për t’u luajtur dhe na mjafton një gol".
Në të njëjtën linjë edhe Vincent Kompany: "Në fund të ndeshjes pashë që Interi festoi shumë. Është në rregull, por ishte vetëm çerekfinalja e parë".
Nga njëra anë, këto fjalë synojnë të mbajnë lart moralin bavarez pas një disfate të pësuar në minutat e fundit, menjëherë pas golit të barazimit. Nga ana tjetër, reflektojnë zhgënjimin për një ndeshje që, ndoshta, Bayerni e kishte imagjinuar më të lehtë.
Sidoqoftë, shpresat te gjigantët bavarezë nuk janë zbehur as pas disa ditësh nag ajo ndeshje. Pas barazimit 2-2 kundër Borussia Dortmundit në "Klassiker", Thomas Muller u shpreh qartë: "Kualifikimi është një ëndërr? Kam një mendim ndryshe për mënyrën si po e përshkruajnë këtë ndeshje të së mërkurës.
Nuk do të na duhet një mrekulli, ndryshe duhet ta rishkruajmë kuptimin e kësaj fjale. Të fitosh një ndeshje jashtë fushe me një apo dy gola diferencë nuk është mrekulli për Bayern Munich. Thjesht do të duhet të bëjmë një ndeshje të mirë, duke kujtuar se fitorja me një gol diferencë na çon të paktën në shtesë".
Kompany, ndërkohë, shtoi: "Tifozët kundër Interit dhe Dortmundit kanë parë 50 goditje dhe disa raste të mëdha. Mund të shënojmë, jemi të rrezikshëm dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë aftësi".