Administratori i Milanit, Xhorxho Furlani, është takuar dje në Romë me Igli Taren, i cili është tashmë kandidati kryesor për t’u bërë drejtori sportiv i ardhshëm i kuqezinjve. Një takim i parë, të cilin pritet ta pasojën disa të tjerë në javën e ardhshme.
Por që tani ka filluar të qarkullojnë në mediat italiane detaje rreth bisedës që zgjati rreth katër orë mes të dyve. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, është folur më pak për kohëzgjatjen e kontratës, që mund të jetë dy ose trevjeçare, e më shumë për emrat konkret të atyre që do të drejtojnë ekipin në edicionin e ri.
Diskutimet kanë qenë mbi trajnerin, me tre emra që mendohet se kanë qenë tema kryesore që ka trajtuar Furlani me Taren duke kërkuar mendim nga ai. Masimiliano Alegri mbetet zgjedhja e parë, një fitues “i sigurt” i cili njeh mirë edhe ambientin kuqezi pasi ka qenë më parë pjesë e këtij klubi. I dyti është Vinçenco Italiano, i cili pas rritjes së Fiorentinës, mori përsipër të vazhdonte projektin e Bolonjës, me shumë sukses.
Ndërsa i treti, më pak i kuotuar, është Çesk Fabregas, pasi spanjoili po bën mirë me Komon, por duhet të konfirmohet me të paktën edhe një tjetër sezon në këto nivele.
Trajneri është një nga pikat më delikate te Milani i të ardhmes, pasi tashmë është e qartë se Konseisao do të bëjë gati valixhet e do të largohet në verë. Tare, nëse do të emërohet në postin e drejtorit sportiv, do ta nisë punën pikërisht me zgjedhjen e trajnerit të ri.