Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur mbi raportin zyrtar të FSB-së ruse lidhur me përdorimin e topit akustik në protestën në Beograd dhe pjesëmarrjes në Ditën e Fitores në Moskë në kohën kur Bashkimi Evropian ka udhëzuar vendet kandidate që të refuzojnë ftesën e palës ruse.
Vuçiq ka bërë të ditur se dje, më 15 prill, kanë pranuar raportin zyrtar të FSB-së ruse lidhur me përdorimin e topit akustik në protestën e 15 marsit në Beograd. Ai ka thënë se në “raport shkruhet kategorikisht se pajisjet akustike në pronësi të autoriteteve policore s’janë përdorur gjatë protestës”, transmetojnë mediat serbe.
“Më datë 15 (mars) është bërë përpjekje që përfundimisht të zbatohet revolucioni me ngjyra në vendin tonë. Gjithçka ishte përgatitur për një pushtim të dhunshëm. Kjo gënjeshtër ishte përgatitur edhe për përdorimin e një topi zanor. Dhe e di, sado që u përpoqa tju them se është e pavërtetë. E di që shumë njerëz kanë besuar se diçka e tillë ka ndodhur, sepse kështu u ka konvenuar”, tha ai.
Protestat në Serbi kanë shpërthyer pasi më 1 nëntor 2024 u shemb një tendë e strehës hekurudhore në Novi Sad, si pasojë e së cilës 16 persona humbën jetën.
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale. Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Në protestën e madhe më 15 mars në Beograd ndaj protestuesve u përdor topi akustik që shkaktoi largimin e tyre nga rrugët.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka udhëzuar vendet kandidate që të mos marrin pjesë në festimet për Ditën e Fitores në Moskë më 9 maj, Vuçiq ka thënë se ai do të takohet me Vladimir Putin “pavarësisht presioneve”.
Qeveria e Rusisë ka ftuar liderët e Kinës, Indisë dhe Brazilit, si dhe Sllovakinë dhe Serbinë, që të marrin pjesë në paradën e 9 majit në Moskë.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi liderët evropianë kundër pjesëmarrjes.
Ai tha se BE-ja nuk dëshiron të shohë ndonjë anëtar të mundshëm të bllokut që ti bashkohet festimeve të Putin në Moskë.
“Ajo që u diskutua gjithashtu shumë qartë dhe u tha nga vende të ndryshme anëtare, është se çdo pjesëmarrje në paradat apo festimet e 9 majit në Moskë nuk do të merret lehtë nga pala evropiane, duke pasur parasysh se Rusia po bën vërtet një luftë në shkallë të gjerë në Evropë”, tha dje Borrell.