Probleme për lojtarin brazilian

- Bota Sot

Probleme për lojtarin brazilian

Sulmuesi i Santosit, Neymar Junior u largua nga fusha me lot në sy pasi e lëndoi këmbën vetëm 34 minuta pasi kishte nisur loja e kampionatit brazilian Serie A.

33 vjeçari, i cili u rikthye të dielën kundër Fluminenses pas gjashtë javësh mungese shkaku i një lëndimi në kofshë, u lëndua prapë të mërkurën mbrëma kundër Atletico-MG,.

Ish-sulmuesi i Barcelonës, Paris Saint-Germainit dhe Al-Hilalit ishte duke e veshur fanellën speciale me numrin 100, për nder të 100 ndeshjeve në stadiumin “Santos’ Vila Belmiro”.

Mirëpo, pas një lëndimi të pësuar, stafi mjekësor konstatoi se lojtari nuk do të ishte në gjendje ta vazhdonte lojën, ndërsa u pa me lot në sy.

Neymar u ngushëllua nga bashkëlojtarët e tij, por edhe nga ish-shoku i skuadrës tek Kombëtarja e Brazilit, sulmuesi i Atletico-MG, Hulk.

“Është shumë herët për ta dhënë një përgjigje definitive, nuk i kemi diagnozat ende”, deklaroi trajneri i Santosit, Cesar Sampaio.

“Tash ne vërtet duhet të lutemi që nuk është diçka që do ta mbajë atë larg fushës së blertë për një kohë të gjatë”, vazhdoi ai.

Futbollisti brazilian i ka zhvilluar tetë ndeshje me Santosin dhe i ka shënuar tre gola që nga rikthimi i tij në klub nga klubi saudit, Al-Hilal.

Neymar, i cili është rekordmen i golave tek Brazili, nuk ka luajtur për Kombëtaren që nga tetori i vitit 2023, kur i kishte këputur ligamentet e kryqëzuara.

Ai ishte ftuar për ndeshjet e Brazilit në kualifikimet e Botërorit kundër Argjentinës dhe Kolumbisë, por u detyrua të tërhiqej shkaku i lëndimit.



Read it all at Bota Sot