FSHF nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të KOKSH

- Bota Sot

FSHF nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të KOKSH

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), që do të zhvillohet më datë 23 prill 2025. Kjo vendimmarrje është pasojë e refuzimit të hapur nga ana e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH për të përfshirë në rendin e ditës një kërkesë zyrtare të FSHF-së, të paraqitur më 28 mars 2025, në përputhje me të drejtën që Statuti i KOKSH-it njeh çdo anëtari të tij.

Kërkesa e FSHF kishte për qëllim shprehjen e qëndrimit të Asamblesë së Përgjithshme mbi zbatimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (CAS), i cili e ka shpallur të pavlefshëm vendimmarrjen e mëparshme të KOKSH, mekanizmat e saj zgjedhor dhe ka renditur shkelje të qarta të të drejtave të FSHF si anëtar. Kjo vendimmarrje duhet të zbatohet detyrimisht nga KOKSH për ta kthyer strukturën Statutore të KOKSH brenda kornizës së ligjit.

Për fat të keq, drejtuesit aktualë të KOKSH kanë vendosur të injorojnë, jo vetëm vendimin e gjykatës sportive ndërkombëtare me prestigjioze si CAS, por edhe të drejtat themelore të një anëtari për të kërkuar përfshirjen e një çështjeje në rendin e ditës. Ky akt zhduk çdo iluzion mbi funksionimin demokratik të KOKSH dhe tregon se drejtimi i tij aktual po ndjek një rrugë të izoluar dhe autoritare, në kundërshtim me frymën olimpike dhe Kartën Olimpike.

Kjo dhe vendimmarrjet e tjera te KOKSH-it janë kundërshtuar nga FSHF vetëm me qëllimin e restaurimit të proceseve ligjore brenda kësaj organizate dhe kjo është konfirmuar në nivel ndërkombëtar.

Kështu do të ndodhi edhe në të ardhmen, sepse kërkesat tona janë vetëm në interes të ligjshmërisë dhe demokratizimit të një organizate.

Mirëpo drejtuesit e KOKSH-it nuk kanë asnjë interes të zbatojnë ligjin dhe vendimet e Gjykatave dhe mbajnë në një frymë shtrëngimi anëtarët që mbahen me paratë publike, që administron KOKSH dhe nuk i lejojnë të ushtrojnë liritë e tyre të organizimit. Ata kanë vetëm shqetësimin të përdorin kohën në detyrë për të thelluar paligjshmëritë që i mundëson të ushtrojnë disa ofiqe në dëm të interesave të mjedisit sportiv.

Nuk mund të ketë kuptim pjesëmarrja në një asamble kur anëtarët nuk lejohen të shprehen, nuk u njihet mundësia për të diskutuar çështje me karakter kaq të rëndësishëm dhe nuk u garantohen të drejtat e pjesëmarrjes. Në një organizatë ku një anëtar ka më pak të drejta sesa një drejtues i zgjedhur, atëherë vetë kuptimi i demokracisë institucionale është i cënuar.

FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore dhe institucionale për të garantuar ligjshmërinë dhe për të rikthyer funksionimin normal dhe të rregullt të KOKSH. Ashtu si para 4 vjetësh, kur paralajmëruam këtë vendimmarrje, sërish gjithçka që po kryhet është e kundërligjshme, por për drejtuesit e KOKSH, ka rëndësi vetëm qëndrimi në detyrë.

Ne do të mbetemi gjithmonë në mbështetje të parimeve të transparencës, të drejtës, dhe respektimit të çdo anëtari në mënyrë të barabartë.



Read it all at Bota Sot