Gjyqtari Mervan Bejtullahu, i cili kishte qenë në qendër të kritikave pas gabimeve të mëdha në përballjen e mëhershme mes Gjilanit dhe Dukagjinit – për të cilat kishte kërkuar falje publike – është caktuar sërish për ta referuar këtë përballje këtë fundjavë në Gjilan.
Shorti për delegimin e gjyqtarëve është hedhur para pak çastesh në Federatën e Futbollit të Kosovës, dhe vendimi për ta kthyer Bejtullahun në të njëjtën ndeshje ka shkaktuar reagime të shumta.
Kujtojmë se pas gabimeve në takimin e kaluar, Bejtullahu nuk ishte deleguar për disa javë në ndeshjet e Superligës.
Tani, megjithatë, ai do të jetë sërish në qendër të vëmendjes në një duel me rëndësi jetike për të dyja skuadrat.
Gjilani dhe Dukagjini po luftojnë për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Gjilanasit kanë vetëm dy pikë më shumë se klinasit në renditje, dhe ndeshja e së dielës pritet të jetë vendimtare për fatin e tyre në Superligë.
Delegimi i Bejtullahut ka shkaktuar edhe reagimin e ashpër të ekspertit të referimit nga emisioni Favorit, Hajriz Hajdari.
“Mendoni more pak për gjyqtar se s’është në rregull me këtë short, doni me marrë n’qafë këtë gjyqtar se kërkah në botë s’ka kështu, o njerëz!”, ka thënë Hajdari me tone të ashpra.