Me golin e djeshëm, Lautaro Martinez arriti shifrën e 21 golave sezonal dhe u bë lojtari i parë i huaj në historinë e Interit që shënon 150 gola në të gjitha kompeticionet. Me teknikën, karakterin dhe sakrificën e tij, Lautaro është kthyer në simbolin e Interit të Inzaghit – një skuadër që ka uri për suksese europiane.
Kjo paraqitje e shkëlqyer në Champions e ka futur Lautaron seriozisht në garë për Topin e Artë. Sipas gazetës prestigjioze L’Équipe, asnjë nga 5 lojtarët më të mirë të edicionit të kaluar – Rodri, Vinicius, Bellingham, Carvajal dhe Haaland – nuk janë më në garë për Champions. Jashtë është edhe Mbappé, i eliminuar me Real Madridin pas përballjes me Arsenalin.
Kështu, kandidatët kryesorë për Topin e Artë janë aktualisht Lautaro Martínez dhe ylli i Barcelonës, Lamine Yamal – të vetmit ndër dhjetëshen më të mirë të 2024-ës që vazhdojnë rrugëtimin europian. Sfida e ardhshme mes Interit dhe Barcelonës do të jetë vendimtare për fatin e kësaj gare prestigjioze.
Gjithsesi, nuk përjashtohen as emrat si Dembele, Raphinha dhe Lewandowski, të cilët me paraqitje të mira në ndeshjet e ardhshme mund të ndryshojnë balancat. Pa harruar që edhe Botërori i Klubeve, që do të zhvillohet në qershor në SHBA, mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në përzgjedhjen e fituesit.