500 vjet Auerbachs Keller: I famshëm prej Faustit të Gëtes

- Bota Sot

500 vjet Auerbachs Keller: I famshëm prej Faustit të Gëtes

Teologu Martin Luter, kompozitori Robert Shumann dhe shkrimtari Johan Volfgang von Gëte kanë qenë në lokalin legjendar Auerbachs Keller. Çfarë e bën këtë vend kaq të veçantë? Një vështrim historik.

Auerbachs Keller (bodrumi i Auerbach-ut) është një nga restorantet më të famshëm në botë. Çdo vit këtu konsumohen 36.000 role me mish viçi, shërbehen 90.000 litra birrë dhe po e njëjta sasi vere. "Ne kemi rreth 300.000 klientë në vit, shumë prej tyre vijnë nga jashtë”, thotë Tanja Pieper, zëdhënëse dhe ambasadore e jubileut të restorantit. Por më mbresëlënës se të gjitha këto shifra është fakti se poeti Johan Volfgang von Gëte u frymëzua këtu para 250 vjetësh për të shkruar dramën e tij të famshme "Faust”. Një skenë në librin e tij zhvillohet në Auerbachs Keller, i cili tërheq ende sot në Lajpcig admirues të Gëtes nga e gjithë bota.

Të festosh 500 vjetorin si Gëtja

Gjatë sezonit të Pashkëve të vitit 1525 mjeku dhe profesori i universitetit nga Lajpcigu, Heinrich Stromer von Auerbach, u shërbeu për herë të parë studentëve verë në bodrumin e tij. Ai ishte mik meMartin Luterin. Kështu që edhe reformatori i kishës Luteri në fillim të shekullit të 16-të e frekuentonte lokalin Auerbachs Keller, ku edhe fshihej herë pas here nga armiqtë e tij.

Këtë vit periudha e pashkëve shënon kulmin e festimeve të 500 vjetorit. Këtu bën pjesë, si të themi edhe sofra e madhe: "Këtë e kemi kopjuar nga Goethe, ka një schlampamp një gosti me të ngrënë e me të pirë me shoqëri të madhe. Ne festojmë në tavolina të gjata si në kohët e vjetra", thotë Tanja Pieper për DW. Shërbehet në dërrasa dhe në tasa si në shekullin e 18-të.

Çfarë lidhje ka Fausti i Gëtes me bodrumin e Auerbach-ut?

Drama e Gëtes ka në qendër mësuesin e plakur, melankolik Heinrich Faust, i cili ia shet shpirtin Mefistofelit, djallit. I kthyer me magji në një djalë të ri, Fausti pushtohet nga një dëshirë e re për jetën. Por Mefistofeli vazhdon të ketë ndikim, për shembull kur Fausti josh dhe lë shtatzënë të renë Margarete (Gretchen). Nga dëshpërimi ajo vret fëmijën e saj jashtë martese, arrestohet dhe pret në burg shpëtimin e Zotit.

Edhe në skenën, që zhvillohet në Auerbachs Keller, Mefistofeli bën marifetet e veta. Ai do ta fusë Faustin "në një shoqëri gazmore". Para syve të disa pijanecëve, ai krijon verë të shijshme dhe më vonë del nga bodrumi duke fluturuar mbi një fuçi. Sot në bodrumin e restorantit, nëntë metra nën tokë, zhvillohet një event shumë i preferuar, e ashtuquajtura "ceremonia e bodrumit të fuçive të verës". Aktori Hartmut Müller i shoqëron prej 30 vitesh vizitorët në një rrugëtim kulturo-historik. Si "mjeshtër i bodrumit të fuçive" ai u rrëfen atyre historinë, ndërsa kalojnë nën harqet e shumta të ndërtesës.

Ceremonia e bodrumit të fuçive të verës

Qemeret e bodrumit janë të ilustruara me skena legjendare. Në bodrumin e fuçive të verës shërbehet ushqimi dhe pijet. "Në një orë të vonë përmes një dere të veçantë kalohet pastaj poshtë në kuzhinën e shtrigës", shpjegon Tanja Pieper. Është një dhomë e vogël dymbëdhjetë metra nën tokë. Këtu të ftuarit marrin një pije rinuese - si Fausti në dramën e Gëtes. "Ata duhet të recitojnë tabelën e shumëzimit të shtrigës dhe të kërcejnë në njërën këmbë rreth zjarrit të shtrigës”, thotë Tanja Pieper, duke përshkruar aktivitetin argëtues.

Më pas gjithçka ka të bëjë me fitimin e bastit për fuçinë e madhe në bodrumin e fuçive të verës. "Nëse mysafirët arrijnë ta nxjerrin jashtë duke e ngarë fuçinë - atëherë ata mund ta mbajnë atë, por fuçia mbetet nën mbikqyrjen tonë".

Saga e vjetër e doktor Faustus

Gëte nuk e shpiku Faustin e tij dhe fluturimin mbi fuçi. E gjitha rrjedh nga një legjendë e vjetër nga thesari i përrallave popullore (Volksbuch nga Johann Spies), libër të cilin Gëte e njihte. Në bodrumin e fuçive ai pa dy tabela druri të vitit 1625, që ilustronin fluturimin me fuçi të magjistarit legjendar Dr. Faustus. Thuhet se ai vëzhgonte, sesi transportuesit përpiqeshin të nxirnin një fuçi jashtëzakonisht të rëndë nga bodrumi i verës dhe tallej me ta. Ai vuri bast, se mund ta nxirrte jashtë fuçinë, duke e ngarë atë.

"Sigurisht shihet si vepër e djallit, kur ai e nxjerr fuçinë duke e ngarë", thotë Pieper. "Nga këto dy tabela druri, që vareshin aty, Gëte u magjeps aq shumë, saqë na përfshiu në dramën "Faust", thotë ajo. Sot dy tabelat qëndrojnë të varura në dhomën Gëte të restorantit, e cila ofron vend për 30 vetë. Edhe Martin Luterit i është kushtuar një dhomë e veçantë, "Lutherstübchen" (dhoma e Luterit), me po aq vende.

Lokali në kohën e Gëtes

Në shekullin e 18-të lokali ishte ende një tavernë, ku pihej verë. "Ky bodrum ishte shumë i madh në atë kohë", shpjegon Tanja Pieper. Atëherë vera nuk mbushej në shishe, por shërbehej nga fuçitë, ku dhe ruhej. "Ka piktura ku mund të shohësh, se si pihej mes fuçive”.

Në atë kohë gatimi nuk bëhej në bodrumin e Auerbach-ut. Ushqimi përgatitej në restorantin e atëhershëm "Auerbachs Hof”, i cili sot nuk ekziston më dhe sillej në bodrum. "Në shekullin e 19-të filluan të gatuanin në Auerbachs Keller dhe gjellërat sërvireshin krahas pijeve".

Fausti i Bahut në festivalin e Bahut në Lajpcig

Në aktivitetet për përvjetorin e Auerbachs Keller në Lajpcig bën pjesë edhe "Fausti i Bahut", një pjesë nga drejtori i Festivalit të Bahut, Michael Maul. Në Lajpcig Johann Sebastian Bach ka qenë Thomaskantor (drejtor i korit të kishë së shën Thomas-it), nga viti 1723 deri sa vdiq në vitin 1750. Rruga e tij e përditshme për në punë e çonte atë edhe pranë bodrumit të Auerbach-ut. Për nder të Bahut çdo vit në qershor në qytet organizohet Festivali i Bahut. "Në Faustin e Gëtes përmendet shumë muzika, por Gëte nuk e përcakton, se për cilën është fjala saktësisht”, shpjegon Maul në një intervistë për DW. Gëte e vlerësonte shumë muzikën e Bahut. Prandaj në pjesën e tij Michael Maul e ka komentuar, ilustruar dhe shoqëruar Faustin e Gëtes me korale dhe kantata të Johan Sebastian Bahut.

"Kur Fausti do të bëjë vetëvrasje në fillim të dramës, në momentin kur ai vë pijen në buzë, dëgjon nga larg himnin e Pashkëve "Krishti u ringjall", shpjegon Maul. Premiera e Faustit të Bahut me këngëtarë, muzikantë dhe aktorë do të shfaqet në kuadër të Festivalit të Bahut më 15 qershor në sallën e madhe të Auerbachs Keller. Përvjetori i restorantit historik do të festohet gjatë gjithë vitit./DW



Read it all at Bota Sot