Pas eliminimit të Real Madridit nga Arsenali në Champions League, shumë media spanjolle janë të bindura se epoka e Carlo Ancelottit në “Bernabeu” ka marrë fund. Dhe nëse nuk përfundon në pankinën e Brazilit, rikthimi i tij në Serie A mund të jetë më shumë se një hipotezë. Dy klubet që shihen si destinacionet e mundshme? Roma dhe Milani, dy skuadra ku Ancelotti ka të kaluar të madhe.
Arrigo Sacchi, ish-trajneri legjendar i Milanit dhe kombëtares italiane, ka këshilla të qarta për të dyja klubet: “Nuk e di çfarë do të vendosë të bëjë Carletto. Më duket se federata braziliane po e ndjek prej kohësh dhe ideja për të drejtuar Brazilin në një Botëror është padyshim joshëse. Po të isha në vendin e drejtuesve të Milanit apo Romës, një telefonatë do t’ia bëja patjetër. Nuk kushton asgjë…”
Hipoteza e Romës është më e mundshmja, sipas Sacchi: “Carletto është pjekur si futbollist te Roma. Ka një lidhje të veçantë me qytetin dhe është shumë i dashur nga tifozët verdhekuq. Kur e mora te Milani, ai ishte kapiten i verdhekuqve, ndaj ishte shumë e vështirë ta shkëpusje nga presidenti Dino Viola. Për të do të ishte si të rikthehej në rini, edhe pse sot i ka flokët gri”.
Sacchi e mbyll me një batutë që e përshkruan në mënyrë të përkryer karakterin e Ancelottit: “A po e vendos në vështirësi me këtë sugjerim? Mos bëni shaka…
Carletto nuk është trembur as kur u përball me një ari gjatë pushimeve në Kanada. Po të mos i thonin shokët që ishte më mirë të largohej, jam i sigurt që do të bënte shoqëri me ariun. Është njeri i jashtëzakonshëm. Të gjithë e duan dhe e respektojnë”.
Një rikthim romantik dhe plot emocione në Serie A për trajnerin më të suksesshëm italian në histori? Nëse shohim zhvillimet e kohëve të fundit, gjithçka mund të ndodhë.