FSHF organizon më 28 qershor seleksionime në SHBA, aplikimet vijojnë të jenë të hapura

- Bota Sot

FSHF organizon më 28 qershor seleksionime në SHBA, aplikimet vijojnë të jenë të hapura

Më 28 qershor 2025, Federata e Futbollit do të organizojë për të tretin vit radhazi seleksionime me futbollistë shqiptarë të talentuar, vajza dhe djem, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Seleksionimet do të zhvillohen në kompleksin “Hudson Sports Complex, Warwick NY” dhe do të fokusohen te lojtarët e lindur në vitet 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013.

Përgjegjësi i skautizmit në FSHF, Ardi Behari, do të ndjekë nga afër të gjithë procesin me futbollistët shqiptarë të talentuar që jetojnë në SHBA dhe Kanada.

Synimi i këtij seleksionimi është identifikimi i talenteve të reja që mund të jenë potencial i vlefshëm për ekipet kombëtare të moshave, si për vajzat ashtu edhe për djemtë.

Aplikimet për t’u bërë pjesë e seleksionimit vijojnë të jenë të hapura. Të interesuarit duhet të dërgojnë të dhënat e tyre në adresën e e-mailit: [email protected] , duke specifikuar: emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin në fushë, uebfaqen zyrtare të klubit, pasaportën që zotërojnë, si dhe një numër kontakti.



Read it all at Bota Sot