Naomi Datson: Ky është vetëm moduli i parë

- Bota Sot

Naomi Datson: Ky është vetëm moduli i parë

Federata e Futbollit e Kosovës ka filluar zyrtarisht kursin e parë për trajnerë për Licencën B – Fitness, duke shënuar kësisoj një tjetër hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të profesionistëve në fushën e përgatitjes fizike në futbollin kosovar.

Moduli i parë i këtij kursi nisi më 18 prill dhe përfundoi sot, duke përfshirë punën intensive teorike dhe praktike. Gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit patën mundësinë të përfitojnë nga përvoja e Naomi Datson, mentore e UEFA-s për fitness, e cila udhëhoqi ligjëratat dhe aktivitetet në terren.

“Kursi ka qenë i shkëlqyer.

Ky është vetëm moduli i parë në kuadër të Licencës Fitness B, por ka qenë shumë interesant gjatë këtyre ditëve. Kemi krijuar një ambient të përshtatshëm për mësim, me shumë detyra interaktive dhe përfshirje të lartë nga trajnerët. Mendoj se pjesëmarrësit kanë qenë fantastikë dhe mezi pres të shoh zhvillimin e tyre në modulet e ardhshme”, tha Datson.

Kursi është i strukturuar në disa module që do të zhvillohen përgjatë vitit 2025 dhe do të përmbyllet me periudhën e monitorimit në klube. Trajnerët që do ta përfundojnë me sukses këtë program do të pajisen me Licencën Fitness B, e cila përbën bazën për licencat e ardhshme si UEFA Fitness A.

Trajneri Fitim Shabani, një nga pjesëmarrësit dhe ligjëruesit në kurs, u shpreh se ky program është shumë i nevojshëm për zhvillimin profesional të trajnerëve dhe ngritjen e nivelit të përgatitjes fizike në klubet tona.

“Ne kemi nevojë për këto informacione për t’i zbatuar në praktikë. Futbolli modern është gjithnjë e më dinamik dhe kërkon përgatitje të lartë fizike. Ky kurs është një ndihmesë e madhe për ne”, tha Shabani.

Ndërkohë, Faton Tishukaj, koordinator i kursit, theksoi rëndësinë historike të këtij hapi nga FFK-në dhe vuri në pah faktin se Kosova është bërë pjesë e shteteve që e kanë të akredituar këtë kurs nga UEFA.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që kemi arritur të akreditojmë këtë program nga UEFA. Madje, edhe shtete si Gjermania dhe Italia nuk e kanë një kurs të tillë të akredituar nga UEFA. Ato i kanë kurset e veta, por jo me program nga UEFA. Kjo është një arritje e madhe për futbollin tonë. Tani kemi një mundësi reale për të ndërtuar një rrugë të qartë për trajnerët e fitnesit që të përgatiten për tregun e punës, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj”, tha Tishukaj.

Ky kurs është pjesë e strategjisë së FFK-së për të rritur kapacitetet profesionale dhe për të implementuar praktikat më të mira evropiane, me qëllim të ngritjes së cilësisë së përgatitjes fizike dhe performancës së futbollistëve në të gjitha nivelet e garave.

Gjatë modulit të parë pjesëmarrësit e këtij kursi kanë vëzhguar një seancë stërvitore, kanë ndjekur një ndeshje kampionale dhe kanë realizuar shumë detyra interaktive gjatë punës teorike.

Moduli i radhës do të vazhdojë nga fundi i muajit të ardhshëm.



Read it all at Bota Sot