Presioni

- Bota Sot

Presioni

Kategoria Superiore tashmë ka arritur në javën e fundit me luftën për mbijetesë, që sheh katër skuadra të përfshira.Ekipet kanë shanse të mbeten direkt pjesë e elitës apo të paktën të sigurojnë ndeshjen shtesë të “play out”.

Kombinimet janë nga më të ndryshmet, por një prej tyre merr shumë rëndësi, ai i rezultateve në përballjet direkte, që mund të japin verdikte në bazë të rezultateve në javën e fundit. Skënderbeu me Bylisin nuk mund të përfundojnë me pikë të barabarta me njëri-tjetrin, pasi kanë përballje direkte në javën e fundit.

SI SHPËTON TIRANA – Bardheblutë janë në kuotën e 36 pikëve pas 35 javësh dhe për të mbajtur gjallë shpresën e qëndrimit në Superiore dhe i duhet me çdo kusht fitorja në derbin e javës së fundit ndaj Dinamos. Vetëm një llogari bën punë për bardheblutë, ajo e fitores në këtë sfidë. Në çdo rezultat tjetër të tyre, kthimi në Kategorinë e Parë do të ishte i pashmangshëm. Nëse fiton, Tirana shkon direkt në vendin e 8-të në Superiore, sido që të jenë rezultatet e sfidave Vllaznia-Laçi dhe SkënderbeuBylisi, pasi në çdo kombinim rezultati të mundshëm në Korçë, bardheblutë lënë dy skuadra mbrapa në renditje. Ata kanë bilanc më të mirë në ndeshjet direkte ndaj Bylisit, Skënderbeut e Laçit. Fakti që korçarët dhe ballshiotët mbyllin kampionatin me një ndeshje mes tyre me pikët që kanë aktualisht në renditje, bën që Tirana të mos ketë asnjë mundësi për vendin e 7-të, që do ta shpëtonte plotësisht nga rënia, pa shkuar në ndeshjen shtesë.

SI SHPËTON BYLISI – Ballshiotët shpëtojnë direkt, nëse barazojnë ose fitojnë me Skënderbeun. Nëse Bylisi humbet me Skënderbeun, shpëton direkt nëse Laçi dhe Tirana barazojnë ose humbasin. Bylisi shkon në “play out”, nëse nuk fiton Tirana dhe triumfon Laçi.

SI SHPËTON SKËNDERBEU – Korçarët shpëtojnë direkt nëse fitojnë takimin me Bylisin. Shkon në “play out” nëse humbet vetë, por barazojnë ose humbasin Tirana dhe Laçi. Shkon në “play out” edhe nëse Skënderbeu barazon dhe Tirana e Laçi barazojnë dhe/ose humbasin.

SI SHPËTON LAÇI – Kurbinasit kanë vetëm një opsion. Shkojnë në “play out” nëse Skënderbeu humbet ose barazon me Bylisin dhe Tirana barazon ose humbet me Dinamon. Me çdo kombinim tjetër bie nga kategoria.



Read it all at Bota Sot