Magath: Trajneri Kompany nuk jep siguri

- Bota Sot

Magath: Trajneri Kompany nuk jep siguri

Te Bayern Munih po shërohen ende nga “plagët” e eliminimit në Ligën e Kampionëve nga Interi. Skuadra zikaltër fitoi 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale në “Allianz Arena” dhe më pas arriti të barazojë 2-2 në “San Siro”, në sfidën e kthimit.

Kapiteni i Bayernit, Joshua Kimmich, pas ndeshjes me Interin u shpreh qartë: “Nëse shohim shtatë apo tetë ndeshjet e fundit, kemi fituar vetëm dy ose tre. Qartësisht kaq nuk mjafton”.

Në Gjermani nuk munguan kritikat në drejtim të tij, por Kimmich reagoi duke shënuar në fitoren 4-0 të bavarezëve ndaj Heidenheim dhe festoi në një mënyrë që tregonte çlirim emocional.

Ish-trajneri i Hamburgut, Bayernit, Wolfsburgut dhe Stuttgartit, kampion Europe si lojtar me Gjermaninë, Felix Magath, komentoi: “Në momente të tilla shpërthen frustrimi. Mendoj se edhe Joshua Kimmich është vetëkritik, gjithmonë e vlerëson si duhet paraqitjen e tij. Shënimi i këtij goli ishte një lehtësim për të”.

Magath analizoi edhe problemet e vërteta të gjigantëve bavarezë: “Problemi kryesor është struktura e skuadrës. Trajneri nuk jep siguri, ende nuk ka gjetur një formacion që për javë të tëra të japë përshtypjen se skuadra e tij ka gjithçka nën kontroll”.

Pastaj foli edhe për mbrojtësin koreano-jugor, Kim, i cili është kritikuar për disa gabime kohët e fundit: “Ata që vuajnë më shumë janë mbrojtësit si Kim. Dy vite më parë, Kim ishte mbrojtësi më i mirë në Itali. Dhe në Itali nuk luajnë futboll të keq, prandaj besoj se ai ka cilësi. Në fakt, skuadra bavareze nuk po funksionon mirë dhe ai po e vuan këtë”.



Read it all at Bota Sot