Conceicao: Nuk motivohemi nga dëshira për t’ia prishur ëndrrën Interit për tripletë

- Bota Sot

Conceicao: Nuk motivohemi nga dëshira për t’ia prishur ëndrrën Interit për tripletë

Sergio Conceiçao ka bërë të qartë se motivimi i Milanit përballë Interit nuk vjen nga dëshira për të prishur ëndrrën e rivalëve për tripletë, por nga përkushtimi ndaj vetes dhe tifozëve të tyre.

Kuqezinjtë do të përballen me Interin të mërkurën në gjysmëfinalen e kthimit të Coppa Italia, një ndeshje jetike për një sezon që ka qenë më tepër zhgënjyes në kampionat.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të martën, Conceição theksoi rëndësinë e sfidës:

“Kjo ndeshje është fundamentale për ne. Duam t’u japim tifozëve tanë një trofe. Duhet një paraqitje e jashtëzakonshme dhe një konkurrencë e lartë. Çdo ndeshje është ndryshe.”

Edhe pse Ruben Loftus-Cheek dhe Kyle Ëalker nuk janë në gjendjen më të mirë, trajneri konfirmoi se ata janë stërvitur plotësisht dhe do të jenë në dispozicion për derbin.

I pyetur nëse motivimi i Milanit është të ndalojnë Interin në rrugën drejt tripletës, Conceição u përgjigj prerë:

“Motivimi ynë nuk vjen nga kundërshtari, por nga puna jonë. Këto gjëra nuk hyjnë në dhomat e zhveshjes.”

Milan ka eksperimentuar me një mbrojtje me tre, por Conceição theksoi se gjithçka varet nga ndeshja:

“Ne gjithmonë kemi shtuar një element të pestë në mbrojtje, herë Musah, herë Jimenez. Varet nga kundërshtari dhe objektivat tona. Duhet të shfrytëzojmë dobësitë e tyre dhe të jemi vigjilent ndaj forcave të tyre.”

I pyetur për zbritjen e Santiago Gimenez në rendin e preferencave, Conceição tha:

“Nuk ka të parë, të dytë apo të tretë. Gjithçka varet nga forma. Ai erdhi mirë, shënoi menjëherë, por më pas u dëmtua. Nuk ka hierarki të fiksuar.”

Milan ndodhet në vendin e 9-të në Serie A dhe shanset për një vend në Champions League janë thuajse të pamundura. Për këtë arsye, përqendrimi është maksimal te Coppa Italia. Trajneri përfundoi duke thënë:

“Do të flas në fund të sezonit për atë çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë mund të bënim më mirë.”

Milan është i pamposhtur në tre përballjet e fundit ndaj Interit këtë sezon.

Por vjen pas një humbjeje ndaj Atalantës në Serie A.

Inter është në garë për tripletën dhe është favorit, por Conceição e përmbyll me këtë mesazh:

“Nuk ka rëndësi kush është favorit. Pas vërshëllimës së gjyqtarit, gjithçka varet nga ajo që kemi përgatitur dhe motivimi ynë.”

Milan ka vetëm një rrugë për të shpëtuar sezonin: finalja e Kupës. Dhe gjithçka varet nga kjo sfidë ndaj një Interi në superformë.



Read it all at Bota Sot