Gullit: Ky Milan ka humbur identitetin

- Bota Sot

Gullit: Ky Milan ka humbur identitetin

“Shumë, shumë. Tepër”. Kështu i komentoi Ruud Gullit 14 humbjet e Milanit këtë sezon, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

“Më vjen keq për lojtarët, por mbi të gjitha për tifozët, – nënvizoi ish-ylli holandez i futbollit. – Është e vështirë, ky Milan është i panjohshëm. Tifozët duan vazhdimësi, jo një ndeshje të mirë dhe më pas shumë vështirësi”.

Për të ardhmen e kuqezinjve, Gullit preferon të mos japë gjykime të shpejta: “Sinqerisht, nuk e di. Kam qenë aty para Krishtlindjeve, për ndeshjen ndaj Genoas, dhe ishte e tmerrshme, e tmerrshme. Tifozët milanistë e kanë të vështirë ta pranojnë këtë realitet, nuk e njohin këtë skuadër”.

Ai ndalet edhe te koncepti i identitetit të klubit: “Fola për ADN-në, sepse është thelbësore të rigjesh thelbin tënd, lojën që është pjesë e identitetit tënd. Shikoni Liverpool-in: iku Klopp, erdhi Slot, por nuk u zhvesh nga karakteri i vet. Njerëzit e njohin stilin e klubit. Milani duhet të vendosë çfarë dëshiron të jetë, më pas të marrë trajnerin dhe lojtarët e duhur për ta realizuar këtë ide”.

Në fund, një koment për luftën për titullin kampion në Serie A: “Do të jetë shumë e fortë deri në fund. Conte dhe Inzaghi luajnë me të njëjtin sistem, kanë ekipe solide dhe mbi të gjitha të njohshme. Kur përballesh me ta, e di çfarë të pret.

Dhe nëse je tifoz i Interit apo Napolit, e di çfarë të presësh nga skuadra jote. Sot është e pamundur të thuash kush do të fitojë, edhe sepse Interi po lufton në tri fronte dhe Napoli mendon vetëm për Serie A”.



Read it all at Bota Sot