Një gjykatës spanjoll ka pushuar procedimin penal ndaj dy personave për fyerje të dyshuara raciste ndaj lojtarit të Real Madridit, Vinicius Jr., gjatë ndeshjes së La Ligës mes Barcelonës dhe
‘Merengues’ më 28 tetor 2023. Në këtë rast, dy spektatorë të pranishëm në stadiumin Olimpik Montjuic në Barcelonë, të kapur në video teksa hidhnin ofendime drejt fushës, po hetoheshin për “krimin e supozuar”.
Sipas mediave iberike, ndër arsyet e mbylljes së çështjes është fakti se nuk ishte e mundur të përcaktohej qartë se çfarë kishin thënë dy tifozët e akuzuar.
Gjyqtari i çështjes megjithatë ka urdhëruar që incidenti të shqyrtohet nga Autoriteti Shtetëror Kundër Diskriminimit, i krijuar në vitin 2022.
Përfaqësuesit ligjorë të Real Madridit, vetë Vinicius dhe La Liga kanë apeluar vendimin për të anuluar hetimin penal për incidentin.