Gjyqtari i finales së Kupës së Mbretit, De Burgos Bengoechea, shpërtheu në lot teksa kujtoi situatat që po përjeton ai dhe familja e tij. “Kur fëmija yt shkon në shkollë dhe i thonë që babai i tij është një ‘hajdut’, dhe ai vjen në shtëpi duke qarë, është shumë e rëndë”, – tha kur u pyet nga “MARCA”.
– Unë përpiqem ta edukoj djalin tim duke i thënë se babai i tij është i ndershëm, se gabon si çdo sportist tjetër. Është shumë e rëndë, nuk ia uroj askujt. Ditën që do të largohem nga këtu, dua që djali im të jetë krenar për atë që ishte babai i tij dhe për atë që është arbitrimi, i cili na ka dhënë shumë vlera.
Nuk është e drejtë ajo që po përjetojmë shumë prej nesh, kolegë e kolege, jo vetëm në futbollin profesionist, por edhe në atë bazë. Secili duhet të reflektojë për rrugën që po ndjekim, për atë që duam nga sporti dhe futbolli”.
González Fuertes shkoi edhe më tej: “Më shumë sesa çfarë duket, janë pasojat e asaj që thuhet.
Po shohim në rrjetet sociale njerëz anonimë që ofendojnë dhe kërcënojnë pa asnjë kontroll.
Përgjegjës të rrjeteve zyrtare të klubeve që vazhdimisht sulmojnë kolegët tanë, përveç sjelljeve të lojtarëve dhe deklaratave që nxisin idenë se ne nuk jemi të ndershëm në vendimet tona.
Pasojat janë se, kur flet për vjedhje dhe përdor fjalë fyese, ky frustrim që krijohet te tifozi shfryhet mbi fëmijët e arbitrave. Kjo është pasoja e vendosjes së shënjestrës mbi kokën e një kolegu. Është mirë dhe e shëndetshme për të gjithë të kthehemi te një futboll më i pastër”.
Ky shpërthim në lot i arbitrit të njohur spanjoll erdhi pasi “Real Madrid MTV” publikoi një video me gabimet e tij dhe përdori fjalë fyese ndaj kryesorit të caktuar për të bërë drejtësi në finalen e Kupës së Mbretit, të shtunën në “El Clasico” e Sevilla.