Kosova kampione e turneut zhvillimor të UEFA-s në Tiranë

- Bota Sot

Kosova kampione e turneut zhvillimor të UEFA-s në Tiranë

Kombëtarja e Kosovës U16 ka arritur ta përmbyllë me sukses të madh në turneun zhvillimor të UEFA-s që u zhvillua në Tiranë.

Dardanët e drejtuar nga trajnerët Mehmed Kurda e Ibrahim Domi regjistruan tri fitore në po aq ndeshje, duke triumfuar ndaj San Marinos (7:0), Andorrës (2:1) dhe, në ndeshjen e sotme edhe ndaj Kombëtares së Shqipërisë, me rezultat 2:1.

Kësisoj, Kosova U16 e mbylli turneun si kampion.

Në pjesën e parë, Dardanët ishin dominues dhe shfrytëzuan mundësitë që iu ofruan për të kaluar në epërsi.

Goli i parë erdhi nga sulmuesi i spikatur Unejs Mustafa, i cili në minutën e 10-të zhbllokoi rezultatin. Më pas, në minutën e 17-të, Leon Ademi shënoi golin e dytë.

Në pjesën e dytë, Shqipëria u hodh përpara dhe arriti të ngushtojë diferencën me një gol të hershëm, por më pas Dardanët e menaxhuan lojën dhe ruajtën epërsinë e një goli.

Ky sukses vjen si rezultat i angazhimit dhe disiplinës së lartë të lojtarëve, të cilët treguan një nivel të lartë të lojës dhe frymë ekipore gjatë gjithë turneut. Trajneri Mehmed Kurda shprehu krenarinë e tij për paraqitjen e skuadrës dhe vlerësoi angazhimin e lojtarëve të rinj që dhanë gjithçka për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës.



Read it all at Bota Sot