Juventusi ka një problem mental, si në kuptimin e përqendrimit dhe menaxhimit të momenteve të ndeshjes, ashtu edhe në lidhje me golat e pësuar.
Humbja e papritur ndaj Parmës, që e vështirëson jashtëzakonisht garën për në Champions League, nxori në pah dobësitë e skuadrës bardhezi, e cila ka pësuar golin e 10-të me kokë në këtë kampionat, ndërsa ka realizuar vetëm 3 gola të tillë, vetëm një më shumë se Monza dhe Verona, që janë në fund të kësaj renditjeje të veçantë.
“Skemat, sistemet dhe kombinimet nuk mjaftojnë. Duhen edhe ato, por fitohet me gjëra të tjera”, – ka deklaruar me ton të ashpër Igor Tudor në ambientet e brendshme të stadiumit “Tardini”. Një paraqitje shumë poshtë nivelit, që ka ndezur alarmin në ambientin bardhezi.
Trajneri kroat pret një reagim që nesër, në ndeshjen ndaj Monzës, tashmë të rënë nga kategoria. Tri pikët kundër brianzolëve janë jetike për të pasur mundësi të luajnë gjithçka në përballjet direkte kundër Bologna dhe Lazio.
Kundër Monzës nuk do të jetë në dispozicion Vlahovic, i cili do të zëvendësohet nga Kolo Muani, ndërsa rikuperimi i Koopmeiners është gjithashtu shumë i vështirë. Pas sulmuesit francez pritet të veprojnë Yildiz dhe Nico Gonzalez.
Turku dhe argjentinasi janë ndër ata që janë rigjeneruar më shumë nga “kura Tudor”, i cili iu kërkon kampionëve të tij gola dhe cilësi për ta rikthyer Juventusin në Europë nga dera kryesore.