River Plate ka fituar superklasiken ndaj Boca Juniors, e luajtur sonte në “Estadio Monumental” në Buenos Aires, ndeshje e vlefshme për javën e 15-të të kampionatit argjentinas, faza e parë.
17-vjeçari Franco Mastantuono zhbllokoi rezultatin duke kaluar vendasit në avantazh në minutën e 25-të, pas ekzekutimit mjeshtëror të një goditjeje dënimi nga distanca. Ai bëhet lojtari më i ri që ka shënuar ndonjëherë në historinë e përballjes mes dy klubeve.
Miqtë e drejtuar nga Fernando Gago barazuan shifrat në minutën e 37-të me Miguel Merentiel, i cili pasi mori një top të gjatë dhe përfitoi nga gabimi fatal i mbrojtësit të River, dërgoi topin në rrjetë.
Gjithsesi, ekipi vendas i drejtuar nga Marcelo Gallardo gjeti sërish golin në fund të pjesës së parë dhe e mbylli atë në avantazh 2-1. Driussi shënoi me kokë pas një krosimi perfekt që mori nga shoku i skuadrës.
Në pjesën e dytë, të dyja ekipet patën rastet e tyre por rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Pas kësaj fitoreje, River Plate mban vendin e tretë me 28 pikë në Grupin B, ndërsa Boca Juniors mbetet e para në Grupin A me 32 pikë.