Vdekja e Papa Françeskut, kardinalët katolikë caktojnë datën e nisjes së konklavës për zgjedhjen e Papës së ri

- Bota Sot

Vdekja e Papa Françeskut, kardinalët katolikë caktojnë datën e nisjes së konklavës për zgjedhjen e Papës së ri

Kardinalët katolikë kanë caktuar datë 7 maj për nisjen e konklavës për zgjedhjen e Papës së ri, pas vdekjes së Papa Françeskut më 21 prill në moshën 88 vjeçare.

Kardinalët u mblodhën këtë të hënë për herë të parë pas varrimit të Papa Franceskut për të diskutuar një datë për të hyrë në një konklavën sekrete dhe për të zgjedhur liderin e ri të Kishës.

Kapela Sistine, që daton nga shekulli i 16-të, ku mbahen konklavat, u mbyll për turistët të hënën për t’u mundësuar përgatitjet për votimin.

Papa i ri duhet të zgjidhet nga zyrtarët më të lartë të Kishës Katolike, të njohur si Kolegji i Kardinalëve. Aktualisht janë 252 kardinalë katolikë, 135 prej të cilëve kanë të drejtë të votojnë për Papën e ri.

Të tjerët janë mbi 80 vjeç, që do të thotë se nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje, edhe pse mund të bashkohen në debatin se kush duhet të zgjidhet.

Kardinalët do të qëndrojnë në një shtëpi mysafirësh brenda mureve të Vatikanit të njohur si Shtëpia e Shën Martës, ku do të kenë shërbimet e kuzhinierëve dhe pastruesve të shtëpisë plus dy mjekëve, njëri prej të cilëve është kirurg.

Kardinalëve do t’u ndalohet të lexojnë gazeta, të flasin në radio, televizion ose internet dhe të dërgojnë ose të marrin çdo lloj mesazhi nga bota e jashtme.

Konklava më e gjatë në histori zgjati 34 muaj, nga vdekja e Klementit IV në nëntor 1268 deri në zgjedhjen e Gregorit X më 1 shtator 1271. Megjithatë, në kohët moderne, asnjë nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditët që u deshën për të zgjedhur Piun XI në vitin 1922.

Konklava për të zgjedhur Papa Françeskun, Kardinalin argjentinas Jorge Mario Bergoglio, në vitin 2013 zgjati vetëm dy ditë.

Nuk ka një procedurë të prerë për votimet e shumta që ka të ngjarë të mbahen, konklava do të përcaktojë procedurën e vet. Nëse një kandidat merr shumicën e dy të tretave të votave, procesi i zgjedhjes së papës së ri përfundon. Përndryshe, raundet e shumta të votimit mund t’i reduktojnë kandidatët në dy të fundit, me një shumicë të thjeshtë që vendos fituesin.



Read it all at Bota Sot