Merz: Rregulloret e tepërta po dëmtojnë popullaritetin e BE-së

- Bota Sot

Merz: Rregulloret e tepërta po dëmtojnë popullaritetin e BE-së

Kancelari i ardhshëm gjerman, Friedrich Merz paralajmëroi sot se rregulloret e tepërta po e bëjnë Bashkimin Evropian më pak të popullarizuar, duke theksuar gjithashtu se Gjermania është e gatshme të marrë një rol më të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.

Merz, i cili javën e ardhshme do të bëhet kancelar i Gjermanisë, foli në një tubim të Partisë Popullore Evropiane në Valencia dhe shprehu bindjen se “ky është momenti i Bashkimit Evropian”.

“Mesazhi ynë duhet të jetë i qartë. Nëse shtetet e tjera vënë në pikëpyetje vlerat e sovranitetit kombëtar, paprekshmërisë së kufijve, lirisë dhe demokracisë, ne do të luftojmë edhe më fort për ato vlera”, theksoi kreu i Unionit Kristian-Demokrat (CDU).

Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë e ka vënë në provë partneritetin transatlantik për sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe për sa i përket “kohezionit të të ashtuquajturit Perëndim”, vazhdoi kancelari i ardhshëm gjerman. Ai theksoi se këto sfida janë përtej kapaciteteve të shteteve evropiane për t’u përballur me to veç e veç, ndaj është më e rëndësishme se kurrë që të veprohet së bashku për “të ardhmen e shoqërive tona”.

Ai bëri thirrje për një riorganizim më efikas të mbrojtjes evropiane, për blerje më të efektshme të armatimeve, përshpejtim të prodhimit ushtarak dhe zhvillim të përbashkët të armëve të reja.

“Kjo nuk është një zgjedhje, është një parakusht për ruajtjen e paqes dhe lirisë në kontinentin tonë evropian”, theksoi ai.

Merz gjithashtu bëri thirrje për luftë “kundër rregulloreve në të gjitha nivelet”. Lideri i ardhshëm gjerman paralajmëroi se BE-ja “po i mërzit” qytetarët e saj me rregullore të tilla si ato për kapakët e pandashëm dhe se duhet të gjejë një ekuilibër mes politikave klimatike dhe industrializimit.

“A kemi humbur mendjen? A duam vërtet ta bëjmë BE-në më pak të popullarizuar me rregullore të tilla?”, pyeti kancelari gjerman, duke i cilësuar masa të tilla si “marrëzira”. Merz tha se “shumë sot presin më shumë udhëheqje nga Gjermania se në vitet e kaluara” dhe theksoi se qeveria e tij e ardhshme është e gatshme për këtë dhe do ta shtyjë “Evropën përpara”.



Read it all at Bota Sot