Rodri rikthehet në stërvitje me ritëm të plotë

- Bota Sot

Rodri rikthehet në stërvitje me ritëm të plotë

Manchester City merr një shtysë të rëndësishme në fundin e sezonit: Rodri është rikthyer të stërvitet me ritëm të plotë pas një dëmtimi serioz në gju që e kishte mbajtur jashtë fushave prej shtatorit.

Mesfushori spanjoll, një element kyç në skemat e Pep Guardiolës, ka punuar gjatë me synimin për të qenë sërish i gatshëm përpara përfundimit të sezonit 2024/2025 dhe tashmë duket se ai objektiv është shumë pranë.

Sipas raportimeve të mediave britanike, përfshirë Sky Sports UK, Rodri ka zhvilluar sot një seancë të plotë stërvitore me ekipin, duke ndjekur të njëjtin ritëm me shokët e skuadrës.

Edhe pse ende mund të jetë herët për ta parë si titullar në ndeshjen e radhës, rikthimi i tij në grup është një sinjal i qartë se rikuperimi po ecën në rrugë të mbarë.

Mesfushori 28-vjeçar ka shënjestruar dy takime madhore për të dhënë kontributin e tij: finalen e FA Cup ndaj Crystal Palace më 17 maj, dhe më pas Kampionatin Botëror për Klube, që do të zhvillohet nga 14 qershori deri më 13 korrik.

Para këtyre ngjarjeve, Rodri mund të marrë minuta edhe në ndeshjet e fundit të Premier League, për ta rifituar plotësisht formën dhe ritmin e garës.

Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Manchester Cityn, që në mungesë të tij ka vuajtur shpesh për ekuilibër në mesfushë. Guardiolës i rikthehet një lider teknik dhe taktik pikërisht në momentin kur sezoni po futet në fazën më vendimtare.



Read it all at Bota Sot