Partizani ka nisur përgatitjet për gjysmëfinalen e “Final – Four”. Të kuqtë do të sfidojnë Egnatian ditën e hënë në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Një përballje shumë delikate për kryeqytetasit, të cilët për t’u kualifikuar në finalen e titullit duhet të fitojnë patjetër, pasi çdo rezultat tjetër veç fitore do t’i eliminonte nga kjo garë. Për këtë Skënder Gega po zhvillon stërvitje intensive për të përgatitur çdo gjë në detaje.
Por kur jemi disa dite para kësaj sfide, 3 futbollistë “shqetësojnë” tropojanin. Altin Bytyçi, Paulo Buxhelaj dhe Adnard Mehmeti kanë shfaqur probleme fizike javët e fundit. Por fatmirësisht pas një konsulte me mjekët e skuadrës ëhstë mësuar se futbollistët kanë më shumë lodhje muskulore.
Diçka e tillë ka qetësuar disi trajnerin, i cili shpreson që deri ditën e ndeshjes të mund t’i ketë gati. Por gjithsesi duke parë edhe formën e tyre, Gega i ka tashmë edhe idetë e qarta se me cilët lojtarë do të zbresë në fushë, duke mos preferur të bëjë surpriza me formacionin.