Jo vetëm Barcelona, edhe Interi me mungesë të madhe për ndeshjen e kthimit

- Bota Sot

Jo vetëm Barcelona, edhe Interi me mungesë të madhe për ndeshjen e kthimit

Barcelona po përballet me një sërë mungesash për ndeshjen e kthimit ndaj Interit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, por edhe italianët kanë një dramë të vërtetë në duart e tyre: ylli argjentinas Lautaro Martinez rrezikon të mungojë pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e parë.

Martinez u largua nga loja në pjesën e dytë në “Montjuic”, duke sinjalizuar menjëherë pas pushimit se nuk mund të vazhdonte.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, në një prononcim për Amazon Prime Italia (përmes Football Italia), nuk u shpreh optimist për gjendjen e kapitenit të tij.

“E ndjeu një pickim, por kishte luajtur tetë ndeshje radhazi. Për fat të keq, kemi pasur këto probleme, nuk pata në dispozicion Thuram, Taremi sapo ishte kthyer nga një dëmtim dhe nuk mund të bëja rotacione.

Kur luan tetë ndeshje njëra pas tjetrës, ekziston rreziku për lëndim. Shpresoj të mos jetë serioze, por kam disa dyshime,” tha Inzaghi.

“Do të jetë shumë e vështirë të rikuperojmë Lautaron për ndeshjen e kthimit. Të gjithë e kuptojnë që dhamë gjithçka ndaj Romës, me disa ngjarje për të cilat nuk dua as të flas. Të martën, me shumë gjasa, do të luajmë pa kapitenin tonë – dhe për ne kjo tashmë është një finale.”

Ndërkohë, raportimet nga Italia Veriore nuk sjellin lajme më të mira. Sipas Il Mattino, cituar nga Sport, Lautaro ka pësuar një tërheqje muskulore në fleksor.

Ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Nuk përjashtohet mundësia që të jetë i gatshëm për të martën, por është konfirmuar që do të mungojë në fundjavë kundër Hellas Veronës. Në rast se dëmtimi rezulton më serioz, ai rrezikon të mbyllë sezonin para kohe.

Zëvendësimet më të natyrshme për Lautaron pranë Marcus Thuram do të ishin Marko Arnautovic ose Mehdi Taremi, i cili e zëvendësoi argjentinasin të mërkurën në mbrëmje në “Montjuic”. Kjo do t’i lejonte Inzaghit të ruajë formacionin 3-5-2, të cilit i qëndron besnik.

Megjithatë, në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Barcelonës, Interi u riorganizua me Piotr Zielinskin dhe katër mesfushorë për të ndalur përparimin e katalanasve.



Read it all at Bota Sot