Tifozët e Liverpool-it, që festuan fitoren historike të titullit kundër Tottenham Hotspur në “Anfield”, shkaktuan një sërë dridhjesh sizmike, kanë zbuluar shkencëtarët e një universiteti.
Skuadra e drejtuar nga Arne Slot siguroi titullin e 20-të në elitën e futbollit anglez me një fitore bindëse 5-1 ndaj Tottenhamit, përpara një stadiumi të mbushur më 27 prill.
Dridhja më e fortë u shkaktua nga goli i Alexis Mac Allister në minutën e 24-t, i cili e kaloi Liverpool-in në epërsi 2-1 dhe u regjistrua me një magnitudë maksimale prej 1.74 në shkallën Rihter.
Të dhënat u regjistruan nga sizmologët e Universitetit të Liverpool-it duke përdorur pajisje që zakonisht përdoren për të zbuluar tërmete.
Studimi u krye nga Dr Antoine Septier, Dr Farnaz Kamranzad dhe profesori Ben Edwards nga Departamenti i Shkencave të Tokës, Oqeaneve dhe Mjedisit në bashkëpunim me klubin.
“Ashtu si ngjarjet natyrore sizmike, këto gola shkaktuan shpërthime të lëkundjeve të tokës, të nxitura nga pasioni i jashtëzakonshëm i tifozëve të Liverpool-it,” tha profesori Ben Edwards.
“Entuziazmi i tyre ishte fjalë për fjalë aq i fuqishëm sa të lëvizte Tokën.”
Të dhënat treguan se turma prej 60,415 tifozësh gjeneroi aktivitet të vërtetë sizmik, veçanërisht si reagim ndaj golave gjatë ndeshjes.
Dridhja e dytë më e madhe, me magnitudë 1.60, u regjistrua pas golit të Mo Salah përpara tribunës “Kop” në pjesën e dytë.
Përpjekja e Cody Gakpo-s u mat me 1.03, autogoli i Destiny Udogie me 1.35 dhe barazimi i përkohshëm i Luis Diaz (që fillimisht u anulua) me 0.64.
Dr Farnaz Kamranzad tha se, megjithëse dridhjet ishin të vogla dhe nuk ndiheshin në tribunat e stadiumit, ato ishin të mjaftueshme “për të lënë një gjurmë të qartë dhe të qëndrueshme në Anfield”.
“Çdo brohoritje, çdo festim, lë një gjurmë nën këmbët tona – një gjurmë sizmike e gëzimit kolektiv, e shkruar në kujtesën e Tokës shumë kohë pas fishkëllimës së fundit,” tha ajo.
Dr Antoine Septier tha se shpresonte që ky eksperiment të frymëzojë një brez të ri sizmologësh.
“Shpresoj që shfaqja e këtyre të dhënave të nxisë ide inovative për aplikime të mundshme, ndoshta edhe për të përmirësuar përvojën në stadium,” tha ai.