Manchester United raportohet se i është bashkuar garës për transferimin e mbrojtësit gjerman të Bayer Leverkusen, Jonathan Tah, i cili pritet të largohet si lojtar i lirë këtë verë.
29-vjeçari nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me kampionët në fuqi të Bundesligës dhe, sipas ‘Sky Sports’, lojtari është objektivi më i fundit i ‘Djajve të Kuq’, të cilët po kërkojnë përforcime për repartin e mbrojtjes.
Sipas medieve të huaja, Tah ka një marrëveshje verbale me Barcelonën, megjithatë, thuhet se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtar. Përveç Barçës, kohëve të fundit, ai është lidhur edhe me Real Madridin dhe Bayern Munichun.
Gjigantët anglezë të Manchester United janë të vendosur të sfidojnë këto klube për shërbimet e qendërmbrojtësit, ndërkohë që Real Madrid shihet si favorit, për shkak të lidhjes së mundshme me trajnerin e Bayer Leverkusen, Xabi Alonso, i cili pritet të zëvendësojë Carlo Ancelottin në stolin e ‘Los Blancos’.