Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka zbuluar se Robert Lewandowski mund të rikthehet në kohë për t’u përballur me Interin në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve të martën në mbrëmje, dhe se lojtari polak ka përparuar në rehabilitimin e tij nga dëmtimi.
Interi dhe Barca barazuan 3-3 në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, pas golave të shënuar nga Marcus Thuram, Denzel Dumfries, Lamine Yamal, Ferran Torres dhe një autogoli nga Yann Sommer, i detyruar nga Raphinha.
Pavarësisht shkëlqimit të tyre në sulm atë natë, Barcelona ishte pa golashënuesin kryesor Lewandowski, i cili ka qenë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor që nga mesi i prillit. Ishte Ferran Torres ai që luajti në sulm gjatë ndeshjes së parë të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Reprezentuesi polak ka shënuar 40 gola në të gjitha garat këtë sezon. Me 25 prej tyre që vijnë në LaLiga, 36-vjeçari është aktualisht i treti në garë për Këpucën e Artë Evropiane të këtij sezoni, pas Viktor Gyokeres të Sporting CP dhe Mohamed Salah të Liverpoolit.
Duke folur në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes së ardhshme të Barcelonës në LaLiga kundër Real Valladolid, Flick konfirmoi se Lewandowski është në garë për të luajtur kundër Interit të martën, megjithëse nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë garanci të fortë.
“Duhet të presim dhe të shohim se si do të përparojnë gjërat ditë pas dite”, tha Flick, sipas Football Espana. "Roberti po përparon shumë mirë dhe do të duhet të shohim se çfarë do të bëjë Balde," vazhdoi ai.
“Ai mund të rikthehet për ndeshjen e kthimit kundër Interit. Roberti po luan shumë mirë dhe progresi i tij është shumë më i mirë nga sa prisnim. Do të duhet ta shohim. Ai është një profesionist i shkëlqyer dhe gjithmonë punon shumë për të qenë 100%. Mund të rikthehet të martën”, tha në fund ai.