Guardiola i shqetësuar

- Bota Sot

Guardiola i shqetësuar

Është pothuajse e pamundur ta zëvendësosh Kevin De Bruyne. Këtë e deklaroi qartë Pep Guardiola pas fitores minimale ndaj Wolverhamptonit, një ndeshje e vendosur pikërisht nga mesfushori belg, i cili e ngjiti Manchester City në vendin e tretë në renditje me 64 pikë.

Një ndeshje e firmosur nga 33-vjeçari belg, që ndihmoi edhe më shumë klubin për t’i mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në Ligën e Kampionëve.

Duke folur pas ndeshjes për “BBC Sport”, Guardiola u shpreh: “Dua më të mirën për Kevin, kështu që nuk do të kishte qenë e mundur të kalonim gjithë këto vite pa të.

Ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, por situata është ajo që është.

Është gati e pamundur të zëvendësohet një lojtar i këtij kalibri. Nuk është vetëm çështje performance, por edhe e asaj që ai përfaqëson në zemrat e tifozëve tanë prej shumë vitesh. Suksesi që kemi arritur është meritë e lojtarëve”.

Siç dihet, në përfundim të kontratës aktuale të De Bruyne (më 30 qershor), lojtari do të largohet nga Manchester City dhe do t’i bashkohet një tjetër klubi.

Sa i përket misionit ende të hapur për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve, Guardiola shtoi: “Në aspektin e objektivit për t’u kualifikuar, rezultati ishte pozitiv. Tani të fokusohemi te 9 pikët e mbetura. Nëse i marrim, jemi në rregull, gjithçka është në duart tona. Duhet të vazhdojmë kështu”.

Tri ndeshjet e fundit në kalendar për City janë ndaj Southampton, Bournemouth dhe Fulham, ndërsa më 17 maj e pret edhe finalja e “FA Cup”.

“Kam treguar se ende mund të luaj këtu, shumë janë të trishtuar

Mbrëmë në “Etihad Stadium” ishte një natë e veçantë, kur në sfondin e këngës “Seven Nation Army” nga White Stripes, tifozët e Manchester City nderuan Kevin De Bruyne duke kënduar emrin e tij. Kjo ndodhi madje përpara se mesfushori belg të shënonte golin e fitores ndaj një Wolverhamptoni në formë të madhe. Gol që mund ta shpëtojë ekipin e Guardiolës, duke i siguruar kualifikimin për në Champions League.

Në fund të këtij sezoni, KDB do të largohet, pas 10 vitesh të mbushura me trofe te klubi anglez, pasi ky i fundit ka vendosur të mos ia rinovojë kontratën që përfundon më 30 qershor. Diçka për të cilën ndoshta Manchester City do të pendohet. Muajin e kaluar, De Bruyne kishte pranuar se ishte befasuar që nuk i ishte ofruar një kontratë e re.

Edhe pas ndeshjes së djeshme dëshiroi të tregonte të gjithë vlerën e tij. “Për fat të keq, nuk e di çfarë e ardhmeje më pret, – tha belgu 33-vjeçar për “Sky Sports UK” me një ton serioz. – Kam treguar se ende mund të luaj këtu, përndryshe nuk do të bëja atë që po bëj në 4 apo 5 javët e fundit.

Shumë shokë skuadre më kanë folur, edhe ata janë të trishtuar që po largohem. Por kështu është jeta, mënyra se si po luaj është e duhura. Po përpiqem të jap maksimumin tim. Më ka mbetur edhe vetëm një ndeshje këtu. Mundohem të bëj punën time si gjithmonë dhe besoj se po ia dal. Jam krenar për atë që po bëj”.



Read it all at Bota Sot