Ndeshja nuk pati histori, veçse pragu i saj ishte me drithërima.
Mediat në Arabinë Saudite iu trembën shumë yllit të kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ndërsa kampionia e vendit të tyre, Al Hilal, do të luante ndaj skuadrës nga Koreja e Jugut, Kuangju, në çerekfinale të Championsit të Azisë.
Al Hilal ishte favorit I madh, dhe në fund fitoi 7-0, por përpara duelit e përditshmja e Riadit, “Al Bilad”, së cilës iu referuan mediat koreanojugore, paralajmëronte për shqiptarin, duke shkruar se sauditët duhej të ishin të kujdesshëm ndaj Jasir Asanit, që ishte shënuesi kryesor I turneut me 9 gola.
Po aq rrjeta ka shënuar deri para gjysmëfinaleve edhe superylli portugez, Kristiano Ronaldo.
Po ashtu, nga mediat arabe theksohej se përballë do të ishin Davidi me Goliadhin, sepse vlera e skuadrës së Al Hilalit arrin në 180 milionë euro, ndërsa ajo e Kuangjusë deri në 9 milionë euro.
Vetë Asani, sipas agjencisë “transfermarkt” ka vlerë kartoni vetëm 1.2 milionë euro.
I njëjti krahasim vlen edhe për rrogat sepse lojtarët mesatarisht në vit tek Al Hilali marrin 7 milionë euro, ndërsa ke Kuangju, jo më shumë se 70 000 euro.
Padyshim që Asani duhet të ketë rrogë shumë më të lartë, ndërsa pasi shkëlqeu në Ligën e Kampionëve të Azisë do të ketë shumë ekipe që do ta kërkojnë në Europë apo ndoshta edhe në Arabinë Saudite.
Ylli I krahut I kombëtares shqiptare shënoi tri gola ndaj ish-kampiones së Azisë, Jokohama, një gol kundër ekipit tjetër japonez, Kauasaki, dy rrjeta përballë skuadrës nga Malajzia, Xhohor, si dhe një tjetër në portën e kinezëve të Shenhuasë.
Një tjetër kulm, ai e arriti në të tetat e finaleve, kur realizoi dy gola përballë kampiones së Japonisë, Vise Kobe, dhe Kuangju përmbysi rezultatin në 3-0, pas humbjes 0-2 duke u kualifikuar.