Gazetaria nën rrethim: Realiteti vdekjeprurës i raportimit nga vijat e frontit në Ukrainë

- Bota Sot

Gazetaria nën rrethim: Realiteti vdekjeprurës i raportimit nga vijat e frontit në Ukrainë

Vira Hyrych kishte punuar si producente për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë deri më 28 prill 2022, kur një raketë ruse goditi shtëpinë e saj në Kiev, duke e vrarë atë.

Ajo është një nga dhjetëra gazetarë që janë vrarë në Ukrainë, që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj në 2022-shin.

Në Ukrainë, dhjetëra mijëra civilë janë vrarë në luftën trevjeçare.

Në mesin e tyre, të paktën 117 punonjës të mediave kanë humbur jetën gjatë sulmeve ruse në Ukrainë, sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ).

Një nga to ishte Viktoria Roshchyna, ish-bashkëpunëtore e Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë e cila vdiq më 2024, teksa po mbahej rob nga Rusia. Kur trupi i 27-vjeçares u kthye në Ukrainë vitin e kaluar, kishte shenja të torturës dhe i mungonin organet e brendshme, sipas raportimeve.

Gazetarë të tjerë kanë qenë viktimë e sulmeve dhe dhunës gjatë konfliktit.

Sipas Institutit të Informacionit Masiv (IMI), organizatë joqeveritare me bazë në Kiev që synon mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, Moska ka kryer afër 830 krime kundër gazetarëve dhe organizatave mediale në Ukrainë. Po ashtu, të paktën 30 punonjës të mediave aktualisht ndodhen në paraburgim në Rusi.

Shumë gazetarë përballen me rreziqe serioze kur raportojnë nga zonat që gjenden në vijat e frontit.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Yevhenia Kytaiva-Rusetska, ishte duke incizuar një intervistë me një ushtar ukrainas, kur një raketë ruse shpërtheu pranë tyre, duke e plagosur rëndë ushtarin.

Rëndesa emocionale

Lufta po ashtu ka shkaktuar një rëndesë emocionale ndaj atyre që kanë përjetuar shkallën e vuajtjes njerëzore.

Maryan Kushnir, gazetar i Radios Evropa e Lirë i cili ka mbuluar luftime të ashpra, tha se “lufta është sikur ta shohësh shtëpinë tënde duke u djegur dhe nuk mund të bësh asgjë. Pas tri vjetësh, jam lodhur me këtë luftë, nuk dua ta filmoj më”.

Mbijetesa financiare është po ashtu një sfidë serioze për mediat ukrainase gjatë luftës.

Rusia ka sulmuar kulla televizive, ka kryer sulme kibernetike dhe ka shkatërruar infrastruktura të mediave dhe zyra të tyre.

Sipas IMI, këto kanë kontribuuar që 332 organizata mediale të mbyllen që nga shkurti i vitit 2022, duke e bërë edhe më të vështirë për gazetarët në Ukrainë që të mbulojnë luftën.

Organizata të tjera mediale është dashur të zgjedhin në mes të mbijetesës financiare dhe pavarësisë editoriale. Që nga viti 2022, shumë media ukrainase gjithnjë e më shumë varen nga grante për të mbijetuar, pasi që burimet tradicionale të financimit janë tkurrur.

Pavarësisht këtyre pengesave të mëdha, gazetarët ukrainas, sikurse Maryan Kushnir, vazhdojnë të tregojnë qëndresë, por shumë prej tyre po ashtu thonë se janë të lodhur fizikisht dhe emocionalisht.



Read it all at Bota Sot