Rrëmbehet babai i një francezi që fitoi pasuri në kriptovaluta - ia prenë gishtin

- Bota Sot

Rrëmbehet babai i një francezi që fitoi pasuri në kriptovaluta - ia prenë gishtin

Policia franceze po heton një seri rrëmbimesh të investitorëve të lidhur me kriptovalutat, pasi sulmuesit rrëmbyen një 60-vjeçar dhe ia prenë gishtin në përpjekje për të zhvatur shpërblim nga djali i tij që bëri pasuri në tregun e kriptomonedhave.

Një burrë që drejtonte një kompani marketingu kriptomonedhash me djalin e tij, u lirua nga një shtëpi në jug të Parisit të shtunën mbrëma, pasi u mbajt rob për më shumë se dy ditë.

Një gisht i tij është prerë dhe hetuesit dyshojnë se do të kishte ndodhur gjymtim i mëtejshëm nëse nuk do të ishte shpëtuar në kohë.

Burri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u rrëmbye në mes të ditës të enjten në orën 10:30 teksa po ecte në rrugë. Katër burra me maska në kokë e futën me forcë në një automjet, raporton KosovaPress.

Ai u lirua në orën 21:00 të shtunën, gjatë një bastisjeje policore në një shtëpi në lagjen Essonne, rreth 20 kilometra në jug të Parisit.

Në shtëpi janë arrestuar pesë të dyshuar të moshës 20-27 vjeç. Prokuroria e Shtetit tha se viktima duket se është babai i një njeriu që ka bërë pasuri në kriptovaluta dhe motivi i krimit ka qenë zhvatja për shpërblim.

Bashkëshortja e viktimës u ka thënë hetuesve se si bashkëshorti ashtu edhe djali i saj kanë marrë kërcënime më parë. Të dy së bashku zotërojnë një kompani kripto marketingu me bazë në Maltë.

Gazeta Le Parisien raportoi se sulmuesit kërkuan një shpërblim prej 5-7 milionë euro, e cila në fund nuk u pagua.

Kujtojmë, në janar 2025, David Balland, bashkëthemelues i kompanisë së kriptove Ledger, e cila vlen më shumë se 1 miliard dollarë, u rrëmbye bashkë me partneren e tij nga shtëpia e tyre në Méreau, në Francën qendrore, dhe sulmuesit gjithashtu i prenë gishtin.

Balland u dërgua në një shtëpi në Châteauroux, ku u torturua, ndërsa partneri i tij i biznesit mori një video të një gishti të prerë së bashku me një kërkesë për shpërblim në kriptomonedhë që arrinte rreth 10 milionë euro.

Balland u lirua shpejt në një operacion policor dhe partneri i tij u gjet një ditë më vonë, i lidhur në bagazhin e një veture në një parking në Essonne.

Në atë rast, nëntë persona janë nën hetim, përfshirë kreun e dyshuar të grupit, një 26-vjeçar me të dhëna për një rrëmbim të mëparshëm.

Në dhjetor 2024, media raportoi një tjetër rrëmbim: viktima ishte babai 56-vjeçar i një kripto ndikuesi francez nga Dubai. Sulmuesit hynë në shtëpinë e tij në Francën lindore, lidhën gruan dhe vajzën e tij dhe e morën me forcë me një makinë.

Influencuesi kontaktoi menjëherë policinë dhe dy gratë u liruan me shpejtësi. Babai i tij u gjet 24 orë më vonë në bagazhin e një veture në Normandi, i lidhur dhe me shenja dhune fizike, i mbushur me benzinë.

Raste të ngjashme të rrëmbimeve të investitorëve të kriptove janë raportuar në Spanjë dhe Belgjikë në pesë muajt e fundit.



Read it all at Bota Sot