Ultranacionalisti George Simion siguroi një fitore solide në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, por ai nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme për të shmangur një përballje balotazhi me prefektin e Bukureshtit, Nicusor Dan.
Pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve në mëngjesin e 5 majit, Simion, udhëheqës 38-vjeçar i partisë AUR, doli i pari me 40.96 për qind, apo 3.860,000 vota, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rumanisë.
Dan, 55-vjeçar, i konsideruar politikan i moderuar, kaloi Crin Antonescun, pjesëtar i koalicionit qeverisës të vendit, për të zënë vendin e dytë, i ndihmuar nga votat nga diaspora.
Dan mori 20.99 për qind të votave, kurse Antonescu 20.07 për qind.
Rreth 973.000 njerëz votuan në diasporë, treguan të dhënat.
Simion doli i pari edhe me votat nga diaspora. Ai mori 61 për qind të tyre, i ndjekur nga Dan me 26 për qind dhe Antonescu me 6.8 për qind.
“Jemi në rundin e dytë. Faleminderit”, shkroi Dan në faqen e tij në Facebook.
Nicusor Dan duke bërë shenjën e fitores me dy gishta pas mbylljes së vendvotimeve.
Anketat pas votimit kishin sugjeruar rezultate të ngjashme të përgjithshme, ndonëse ato i jepnin Simionit një epërsi më të vogël.
“Mendoj se është rezultat i pakthyeshëm, siç qëndrojnë gjërat”, tha Antonescu, pasi u kalua nga Dan. “Unë prezantova një program; vendimi i popullit rumun ishte ndryshe”.
“Votat janë të qarta – qytetarët folën. Më vjen keq. Po i jap fund kësaj përpjekjeje, mendoj, me kokën lart”, u shpreh ai.
Antonescu nuk u deklarua se kë e pëlqen për rundin e dytë të zgjedhjeve. “Nuk kam rekomandime”, tha ai, teksa nxiti votuesit “të mendojnë vetë se idetë e cilit kandidat janë në përputhje me ato të cilat unë i kam prezantuar”.
Simion u tha mbështetësve të tij, përmes videolidhjes, gjatë natës, se “së bashku shkruam historinë!”.
“Po i afrohemi një rezultati të jashtëzakonshëm, përtej atij që po e paraqesin televizionet [kryesore]... të cilat dinë vetëm të nxisin përçarje me arrogancë, të helmojnë, të shtrembërojnë gjithçka e të përhapin gënjeshtra”, u shpreh ai.
Zgjedhjet u përcollën me interesim edhe jashtë Rumanisë, pjesërisht për faktin që Simion bëri deklarata kontroverse me pretendimet për pjesë të territoreve ukrainase dhe moldaviane, si dhe me vënien në pikëpyetje të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Ai, po ashtu, kritikoi pushtimin e vazhdueshëm rus të Ukrainës.
Nëntorin e kaluar, Calin Georgescu, nacionalist prorus, i konsideruar si kandidat pa përvojë, arriti një fitore të befasishme në rundin e parë të votimit.
Megjithatë, autoritetet anuluan rezultatet, mes akuzave për fushatë ruse të ndikimit për të shtyrë përpara kandidaturën e tij. Georgescut iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet e reja, dhe u vunë një varg rregullash të reja për përsëritjen e votimit, më 4 maj.
Anulimi i zgjedhjeve tërhoqi kritika jashtë Rumanisë, përfshirë nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J.D. Vance, i cili akuzoi zyrtarët se vepruan mbi “trysni të madhe dhe të dyshimtë nga fqinjët kontinentalë”.
Simion ka përqafuar publikisht një pjesë të retorikës së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të lëvizjes së tij.
Balotazhi presidencial mes Simionit dhe Danit do të mbahet më 18 maj.
Para zgjedhjeve, shumica e vëzhguesve janë shprehur se Simion do ta ketë të vështirë ta fitojë rundin e dytë, veçanërisht nëse Dan apo Antonescu dalin në vendin e dytë./REL