133 kardinalë ndodhen tashmë në Romë, gati për të marrë pjesë pasnesër në procesin e zgjedhjes së Papës së ri, njoftoi zyrtarisht Vatikani.
Mësohet se është kryer shorti për ndarjen e apartamenteve ku do të qëndrojnë kardinalët gjatë ditëve të konklavës. Ata do të akomodohen në rezidencën e Shën Martës, të njëjtën që kishte zgjedhur për të jetuar edhe Papa Françesku.
Krahas klerikëve, edhe punonjësit laikë të Vatikanit, të cilët do të ndihmojnë gjatë procedurave, kanë dhënë betimin për ruajtjen absolute të konfidencialitetit. Ata nuk duhet të zbulojnë asnjë detaj nga çfarë ndodh gjatë votimeve në brendësi të Kapelës Sistine.
Për të zgjedhur Papën e ri, nevojitet shumica prej dy të tretash e votave, pra të paktën 89 nga 133 kardinalët votues. Sot pasdite dhe nesër do të mbahen mbledhjet e fundit me praninë e të gjithë kardinalëve, votues dhe jo-votues. Aty do të diskutohen sfidat e ardhshme të Kishës Katolike dhe profili i liderit që do ta drejtojë atë në të ardhmen.