Konfirmon rikthimin e Dembeles

- Bota Sot

Konfirmon rikthimin e Dembeles

Trajneri i PSG-së, Luis Enrike, ka konfirmuar se skuadra e tij do të mbetet besnike ndaj stilit të saj të lojës, pavarësisht presionit që mund të sjellë përballja e dytë gjysmëfinale ndaj Arsenalit në Ligën e Kampioneve.

Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes që do të zhvillohet në “Parc des Princes” sonte mbrëma, Enrike tha: “Ne do të vuajmë, sepse kundërshtari është në një pozitë të pafavorshme.

Por duhet të qëndrojmë sa më pranë performancës sonë të ndeshjes së parë dhe të mbetemi besnikë ndaj ideve tona”.

Trajneri spanjoll vuri në dukje progresin e PSG-së këtë sezon dhe theksoi se skuadra është në një fazë ndërtimi: “Viti i parë është për analizë. I dyti për përmirësimin. Sezonin tjetër do të vazhdojmë ndërtimin, por tashmë kemi bërë hapa të mëdhenj përpara”.

DEMBELE RIKUPEROHET – Osman Dembele, i cili është golashënuesi i vetëm në ndeshjen e parë në “Emirates Stadium”, është rikuperuar nga një dëmtim muskulor në kofshë që pësoi në Londër dhe është gati për të luajtur sot në Paris: “Ai është stërvitur me ne për dy ditët e fundit”, tha Enrike. “Do të jetë i gatshëm”. Sulmuesi francez, i cili iu bashkua PSG-së nga Barcelona në vitin 2023, është golashënuesi kryesor i ekipit këtë sezon, me 33 gola në të gjitha kompeticionet dhe do të jetë një armë kyçe në përpjekjen e parizienëve për të siguruar një vend në finalen e madhe.

HAKIMI – Në konferencë, bashkë me trajnerin Luis Enrike ishte edhe Ashraf Hakimi, i cili vlerësoi figurën e trajnerit spanjoll:

“Kam pasur disa trajnerë shumë të mirë gjatë karrierës sime dhe jam shumë mirënjohës për secilin prej tyre. Kam mësuar në çdo etapë. Luis Enrike po më çon në një nivel që kurrë nuk e kam imagjinuar se mund ta arrija. Falë tij, jam një lojtar më i kompletuar”. Por pyetjes nëse do të jetë sfida e sotme më e rëndësishmja në karrierën e mbrojtësit maroken, ai u përgjigj:

“Nuk e di nëse është ndeshja më emocionuese, por është një nga më emocionueset për shkak të rëndësisë që ka për klubin. Jemi një hap larg finales. Mendoj se ka një ndjenjë qetësie, sepse kemi luajtur një gjysmëfinale edhe vitin e kaluar. Besoj se kjo do të na ndihmojë sot”..



Read it all at Bota Sot