Paris Saint-Germaini dhe Arsenali do ta kërkojnë sonte biletën e dytë të finales së madhe të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti francez dhe ai anglez do të përballen mes vete në Paris në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të garës më prestigjioze të futbollit evropian.
Parisienët e fituan betejën e parë në Londër me rezultat minimal, 1:0 dhe e kanë një përparësi të lehtë për ta prekur finalen e Munichut, shkruan “Gazeta Express”.
Kjo madje ishte fitorja e parë ndonjëherë e PSG-së në gjashtë paraqitje me “Gunners”, ndërsa paraprakisht “Topçinjtë” i kishin fituar dy përballje dhe tri ndeshje mes tyre kishin përfunduar baras.
Vetëm dy ekipe deri tash e kanë siguruar finalen e Championsit pasi e kanë humbur lojën e parë në shtëpi, Ajaxi dhe Tottenhami.
PSG-ja dhe Arsenali janë në kërkim të finales së dytë të Championsit në histori të tyre.
PSG-ja i ka fituar tri prej katër ndeshjeve të fundit në shtëpi në Ligën e Kampionëve duke i realizuar 14 gola në ato tri fitore.
Mirpëpo, ata kanë humbur dy herë në këtë edicion të Championsit në “Parkun e Princave”, nga Liverpooli dhe nga Atletico Madridi.
Nga ana tjetër, Arsenali i ka fituar katër ndeshjet e fundit në udhëtim në Ligën e Kampionëve.
“Gunners” nuk i kanë fituar kurrë pesë ndeshje radhazi në një garë evropiane deri tash.
Ekipi i Mikel Artetas synon që sonte ta përsërisë ndeshjen e madhe që e bëri në Madrid ndaj Realit, për ta përmbysur rezultatin e “Emirates Stadium”.
Ndërkohë, parisienët përpara publikut të tyre të zjarrtë e kanë për qëllim ta konfirmojnë rezultatin e arritur në Londër dhe ta prekin finalen e madhe.
Të dy ekipet po e synojnë trofeun e parë të Championsit, ndërsa fituesi i sontëm në finale do të përballet me Interin.
Ndeshja mes PSG-së dhe Arsenalit do të nisë prej orës 21:00..