Presidenti i Egjiptit vizitë në Athinë, nënshkruhet marrëveshja për “partneritet strategjik”

- Bota Sot

Presidenti i Egjiptit vizitë në Athinë, nënshkruhet marrëveshja për “partneritet strategjik”

Në vizitën e tij të 5-të në Greqi, presidenti i Egjiptit ka nënshkruar mes të tjerash një marrëveshje për një “partneritet strategjik”, teksa Athina dhe Kajro kërkojnë të rrisin koordinimin politik për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në Mesdheun Lindor në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm në Gaza.

Abdel Fattah al Sissi dhe Kyriakos Mitsotakis që janë takuar në kuadër të mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Lartë, ritheksuan qëndrimin e përbashkët për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare për të nxitur paqen në Gaza me prioritet ndalimin e luftimeve dhe rikthimin e ndihmave humanitare për civilët.

Migracioni ishte gjithashtu një nga temat kryesore të diskutimeve dypalëshe, pasi qeveritë evropiane janë prej kohësh të shqetësuara për rrezikun e destabilizimit të Egjiptit, një vendi me 106 milionë banorë, ku vështirësitë ekonomike kanë rritur numrin e atyre që emigrojnë, raporton korrespodenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Maarku.

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi është pritur edhe nga homologu i tij grek Konstantinos Tassoulas në një takim ku të dy palët vlerësuan “marrëdhënien shumë shekullore të miqësisë dhe bashkëpunimit” midis Greqisë dhe Egjiptit,

“E di që edhe vendi juaj, i cili ka ndikim të madh në këtë rajon të Mesdheut, në Lindjen e Mesme, në Afrikë, është i interesuar për paqen, për kthimin e pengjeve, ashtu si edhe vendi ynë është i interesuar për një armëpushim”, shprehet Konstantinos Tassoulas, Presidenti i Greqisë

“Jemi të shqetësuar për rajonin. Jemi të përkushtuar për të zgjidhur problemet. Po fokusohemi te çështja e Gazës, po punojmë për të siguruar një armëpushim dhe për të lehtësuar, ashtu siç dëshironi edhe ju, kthimin e pengjeve”, tha Abdel Fattah el-Sissi, Presidenti i Egjiptit

Në të gjitha takimet është folur edhe për financimin e projekteve shumë të rëndësishme me interes të përbashkët, si ai i ndërlidhjes elektrike, që do t’i mundësojë Greqisë dhe Evropës të importojnë energji të lirë, të cilën Egjipti ka aftësinë ta prodhojë me një kosto shumë konkurruese dhe ta eksportojë në Evropë. Por edhe për nisma të përbashkëta në eksplorimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve, kryesisht të gazit natyror në zonën detare në jug të Kretës.



Read it all at Bota Sot