Tifozi zikaltër pësoi infarkt në “San Siro” pas ndeshjes me Barçën

- Bota Sot

Tifozi zikaltër pësoi infarkt në “San Siro” pas ndeshjes me Barçën

Një tragjedi është shmangur dje në stadiumin “San Siro”, pasi një tifoz i Interit ka pësuar infarkt pas përfundimit të ndeshjes së zikaltërve më Barcelonën.

Pasi pa skuadrën e tij të kualifikohej në finale mes emocionesh të shumta, tifozi zikaltër raportohet se ka pësuar infarkt teksa po largohej nga stadiumi.

Burri, i cili raportohet se ishte pak më shumë se 40-vjeçar dhe pa patologji të veçanta apo faktor rreziku, është ndjerë keq dhe është rrëzuar në tokë. Për fatin e tij të mirë, mjekët e pranishëm në impiant i kanë dhënë shpejt ndihmën e parë.

“Është vepruar 4 herë me defibrilator, duke e alternuar me masazh kardiak. Te e katërta u shfaq përsëri ritmi kardiak”, shpjegoi Alesandro Gedo, përgjegjësi i shërbimit shëndetësor në stadiumin “San Siro”.

“Atij iu dha ndihma nga patrulla në vendngjarje, pastaj mbërrita unë dhe ekipi im. Pasi u rishfaq ritmi kardiak, ne e kemi intubuar dhe vendosur në koma farmakologjike. Pastaj u dërgua në reanimacion të spitalit “San Carlo” në Milano. Ai ishte me frymëmarrje spontane. Nesër duhet të zgjohet dhe deri në momentin që flasim nuk raportohet për dëme neurologjike”, vijoi mjeku i cili zbuloi se në fakt ngjarje të tilla janë më të shpeshta se sa mendohet.

“Kjo është hera e dytë brenda vitit në “San Siro””, vijoi ai duke shpjeguar se mesatarisht ngjarje të ngjashme ndodhnin 2 herë në vit. Rasti i mëparshëm kishte ndodhur para katër muajsh dhe pacienti ishte rikuperuar plotësisht. “Njeriu të cilit i ra infarkt dje, ishte me një shok, i cili i nisi menjëherë masazhin kardiak dhe kjo është shpesh pika e kthesës”, tregon Gedo.

A është stresi i ndeshjes faktori i këtij infarkti? “Nuk është e mundur të thuhet, edhe pse nuk njohim faktorë të mundshëm të rrezikut individual. Por padyshim stresi mund të ketë ndikim në këto lloj ngjarjesh”, tregoi ai për mediat italiane.



Read it all at Bota Sot