Një nga goditjet më të mëdha kundër narkotikëve në rajonin e Prizrenit është finalizuar nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Gjakovës në bashkëpunim me DHTN-Prishtinë, ku janë arrestuar tetë persona të përfshirë në kultivim dhe trafikim të drogës.
Burime ekskluzive të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka nisur më 23 prill 2025, kur në rrugën “Ukë Bytyqi” në Prizren, gjatë një operacioni të koduar IN-DOOR, policia zbuloi një laborator të brendshëm për kultivimin e bimëve të llojit kanabis sativa.
Në këtë laborator, i ndërtuar me pajisje profesionale për rritje dhe përpunim, u sekuestruan: Rreth 175 bimë kanabis sativa në madhësi të ndryshme, Substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë totale 872.7 gram, Pajisje të specializuara për kultivim.
Bimët dhe mjetet u shkatërruan me urdhër të prokurorit të rastit. Gjatë aksionit u arrestuan fillimisht Fejsal Hajredini, Armando Simonaj dhe Marinela Simonaj.
Më 7 maj 2025, policia arrestoi edhe katër persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet: Lumbardh Bullatovci, Driton Morina, Shkëlzen Kryeziu, Bashkim Morina.
Sipas burimeve tona, i dyshuari Lumbardh Bullatovci ishte nën hetim edhe në rastin tjetër “KONDUKTERI” në Prishtinë. Ai është arrestuar në rrugë dhe më pas i është bastisur banesa, ku janë gjetur dhe konfiskuar: 461 gram kokainë, 1,020 euro para të gatshme, 30 franga zvicerane, 2 telefona mobilë, Një veturë VW Golf 7.
Lidhur me këtë rast është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, i cili ka lëshuar urdhër për ndalimin për 48 orë të të dyshuarve Lumbardh Bullatovci, Driton Morina, Shkëlzen Kryeziu dhe Bashkim Morina.
Ndërsa, Kushtrim Rexhaj, ndodhet aktualisht në arrati dhe është në kërkim policor.
Të dyshuarit po përballen me akuzat për: “Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Gazeta Sinjali do të sjellë detaje të reja në vijim për këtë rast të strukturuar kriminal që lidh Prizrenin me Prishtinën në rrjetin e shpërndarjes së drogës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.