“Unë nuk e kuptoj. Nuk kam luajtur kurrë për barazimin”.
Ky është një nga pohimet më të forta të Igor Tudorit, trajnerit aktual të Juventusit, i cili e ka bërë të qartë këtë mesazh. Ishte një nga parashikimet e tij para barazimit 1-1 kundër Bolonjës, por më pas ai u adaptua me realitetin, si një njeri që e di çfarë po ndodh.“Duke marrë parasysh dëmtimet dhe emergjencat, ky ishte një rezultat i mirë”, tha ai pas ndeshjes.
Trajneri kroat, edhe pa e fshehur shumë, ka mësuar të kënaqet me atë që ka dhe tashmë është futur në një garë të ashpër për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve, që është qëllimi kryesor i misionit të tij.
Për të vlerësuar fundin e sezonit, askush nuk mund të mbështetet vetëm te ndjesitë, kështu që është e natyrshme të referohemi te shifrat, të cilat mund të duken të ftohta, por janë të pashmangshme.
Tudor, i cili mori drejtimin pak kohë më parë, ka grumbulluar 11 pikë në 6 ndeshje të kampionatit, me një mesatare prej 1.83 pikësh për ndeshje. Paraardhësi i tij, Tiago Mota, grumbulloi 52 pikë në 29 ndeshje, me një mesatare prej 1.80 pikësh për ndeshje.
KRAHASIMI- Çfarë tregon ky krahasim? Ndërsa diferenca mes 1.83 dhe 1.80 është shumë e vogël, vetëm 0.03, rezultati midis Tudorit dhe Motës është praktikisht një barazim, një rezultat që sigurisht nuk e kënaq trajnerin e Juventusit, i cili është gjithmonë i fokusuar për të arritur fitoren. Dhe në epokën e tri pikëve për fitore, ai ka të drejtë ta ndiejë këtë. Duke u mbështetur në shifra, nëse do të vazhdonin me këto ritme gjatë të gjitha 38 ndeshjeve të kampionatit,
Tudor do të arrinte 69.5 pikë, ndërsa Mota do të grumbullonte 68.4 pikë. Këto janë shifra që në pesë vitet e fundit nuk kanë garantuar gjithmonë një vend për në Champions. E kjo tregon se nuk ka pasur një ndryshim të vërtetë në ritmin e lojës, edhe pse janë ndryshuar trajnerët.
Nuk është vetëm çështje stoli apo aftësie menaxhuese, ndoshta ka një problem më të thellë me organikën, që nuk ka ndryshuar ndonëse ka pasur trajnerë të ndryshëm. Ky është një reflektim që duhen ta bëjnë të gjithë ata që drejtojnë klubin, nga Kristiano Xhuntoli deri në hallkat e mëposhtme, në përpjekjet për rilindje.
CHAMPIONS- “Fitimi është më shumë se i rëndësishëm, është e vetmja gjë që ka rëndësi”, thoshte Xhampiero Boniperti në vitet e tij të arta. Tani, qëllimi i klubit është më i ngushtë, të arrijë të marrë vendin e katërt me çdo kusht. Tudori mund të mos shqetësohet nga etiketimi si “trajter kalimtar”. Plani i tij, për shkak të kufizimeve në kohë dhe burime, është më modest dhe i thjeshtë në krahasim me planet më ambicioze të Motës, i cili kishte përpara një horizont trevjeçar.
Megjithatë, Tudor ka pranuar sfidën dhe ka vendosur të provohet. Disa ndryshime të vogla kanë krijuar optimizëm, por nuk ka pasur ende atë shpërthim e kërkuar që do të siguronte një vend në Champions, që në këtë moment do të ishte i sigurt.
Të gjitha janë ende të pasigurta.
Po ashtu, edhe të ardhmen e Tudorit e përcaktojnë tri ndeshjet që mbeten dhe që do të ndikojnë në vendimet për verën që vjen. Në një situatë shumë të tensionuar, Juventusi po lufton për të siguruar një vend midis katër të parëve, duke e ndarë këtë garë me Romën, Lacion dhe Bolonjën, të cilat kanë të njëjtin numër pikësh (Bolonja 1 më pak).
Një situatë kaq e lëvizshme ka bërë që të gjithë të ecin me kujdes. Shumë tifozë kërkojnë që Tudori të japë një goditje finale për të siguruar pjesëmarrjen në kompeticionin më të rëndësishëm europian, dhe ndoshta edhe për të mbyllur llogaritë me Motën.